Prapaskenat e negociatave/ Jo vetëm Hormuzi dhe uraniumi, çfarë kërkoi tjetër Irani që nuk u pranua nga SHBA

Muri kundër murit. Kështu e përshkruan media ndërkombëtare fundin e negociatave mes SHBA dhe Iranit që dështuan në arritjen e një marrëveshjeje për paqe.
Bisedimet vazhduan për 21 orë pa ndërprerje, por pozicionet mes palëve janë ende shumë larg.
Të paktën tre çështje kryesore kanë penguar një marrëveshje. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit, uraniumi i pasuruar, shumë i nevojshëm për programin bërthamor të Teheranit dhe kërkesa e Iranit për të zhbllokuar afërsisht 27 miliardë dollarë asete të ngrira jashtë vendit.
Këto ishin pikat që penguan negociatat midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, sipas asaj që raporton “New York Times”
Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar që Irani të rihapte menjëherë ngushticën për të gjithë trafikun detar, por Irani refuzoi të hiqte dorë nga ndikimi i tij mbi këtë pikë strategjike të cisternave të naftës, duke thënë se do ta bënte këtë vetëm pas një marrëveshjeje përfundimtare paqeje dhe në këmbim të një tarife.
Po çfarë ndodh tani? E ardhmja e afërt është e zymtë, e mbushur me pasiguri dhe pesimizëm.
Donald Trump ka dy skenarë kryesorë. I pari: rifillimi i bombardimeve ndaj Iranit, me rrezikun real të ngecjes në luftën e Lindjes së Mesme dhe përkeqësimit të një krize të rëndë energjitike, të cilën SHBA-të nuk kanë interes ta zgjasin.
Ndërsa opsioni i dytë është që të vazhdojnë negociatat për të kërkuar një kompromis. Por kjo është e vështirë, sepse qëndrimet e të dy vendeve, në lidhje me programin bërthamor të regjimit dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, janë ende shumë të larg njëra-tjetrës.


