‘Londra nuk ka rol në sulme’, Starmer: Avionët britanikë po operojnë në Lindjen e Mesme si pjesë e misioneve mbrojtëse

Kryeministri i Mbretëria e Bashkuar, Keir Starmer, deklaroi nga Downing Street se Londra nuk ka pasur asnjë rol në sulmet e ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, por konfirmoi se avionët britanikë po operojnë në Lindjen e Mesme në kuadër të “operacioneve të koordinuara mbrojtëse”.
Starmer theksoi se qytetarët britanikë janë thellësisht të shqetësuar për përshkallëzimin e situatës dhe pasojat që mund të ketë mbi stabilitetin rajonal dhe sigurinë e civilëve. Ai nënvizoi se qëndrimi i qeverisë britanike mbetet i qartë, pavarësisht zhvillimeve të shpejta në terren.
“Regjimi në Iran është absolutisht i neveritshëm”, u shpreh ai, duke akuzuar Teheranin për shtypje të brendshme dhe për destabilizim të rajonit. Sipas kryeministrit britanik, regjimi iranian përbën gjithashtu një kërcënim të drejtpërdrejtë për disidentët dhe komunitetin hebraik në Britani. Ai pretendoi se vetëm gjatë vitit të fundit Irani ka mbështetur mbi 20 sulme potencialisht vdekjeprurëse në territorin britanik.
My statement on Iran. pic.twitter.com/Ki4VVTYO4N
— Keir Starmer (@Keir_Starmer) February 28, 2026
Starmer theksoi se Irani “nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore”, duke e cilësuar këtë si objektiv kyç të Londrës dhe aleatëve të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ai dënoi gjithashtu sulmet iraniane ndaj vendeve të rajonit që, sipas tij, nuk janë palë në konflikt, duke shprehur solidaritet me partnerët në Lindjen e Mesme.
Kryeministri bëri të ditur se forcat britanike në rajon janë në gatishmëri të plotë operative dhe se mbrojtja e bazave dhe personelit është rritur në nivelin më të lartë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ai i bëri thirrje Iranit të ndalë përshkallëzimin, të heqë dorë nga programet e armëve dhe të rikthehet në tryezën e negociatave, duke theksuar se deeskalimi mbetet e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë.


