"Mbani të paktën 35 euro rezervë"/ Frika nga sulmet kibernetike, Danimarka kërkon mbajtjen e parave cash në shtëpi

Autoritetet daneze po u bëjnë thirrje qytetarëve të rikthejnë zakonin e mbajtjes së parave cash në shtëpi, mes shqetësimeve në rritje për sulme kibernetike, ndërprerje të energjisë elektrike dhe bllokime të sistemeve dixhitale të pagesave.
Banka Kombëtare e Danimarkës ka rekomanduar që çdo qytetar të ketë një shumë minimale parash cash si rezervë emergjente, në mënyrë që të përballojë situata të papritura kur kartat bankare apo pagesat elektronike mund të mos funksionojnë.
“Jetojmë në një kohë kur popullsia duhet të jetë e përgatitur për dështime të mundshme të sistemeve kritike”, ka deklaruar drejtuesja e bankës qendrore daneze, duke theksuar se mbështetja vetëm te teknologjia mund të krijojë probleme serioze në rast krizash.
Përveç mbajtjes së parave cash, qytetarëve u rekomandohet të kenë më shumë se një kartë pagese dhe të jenë të përgatitur për përdorimin e metodave alternative të pagesës në rast emergjencash.
Alarmi është shtuar pas disa incidenteve teknologjike dhe ndërprerjeve të energjisë në vende europiane, ku për orë të tëra qytetarët nuk kanë mundur të përdorin kartat apo shërbimet bankare elektronike. Në raste të tilla, paratë cash rezultuan mënyra e vetme për blerjen e produkteve bazë dhe shërbimeve të nevojshme.
Autoritetet daneze kanë ngritur shqetësime edhe për kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike, duke paralajmëruar se sisteme të rëndësishme si bankat, rrjetet e ujësjellësit apo shërbimet dixhitale mund të jenë objektiv i sulmeve.
Ndërkohë, edhe bizneset janë këshilluar të hartojnë plane emergjence për situata kur interneti ose sistemet elektronike të pagesave dalin jashtë funksionit, në mënyrë që aktiviteti ekonomik të mos paralizohet.
Sipas autoriteteve, në një botë gjithnjë e më të varur nga teknologjia, mbajtja e një sasie parash cash nuk konsiderohet më një praktikë e vjetëruar, por një masë e rëndësishme sigurie për situata krize.


