Netanyahu urdhëroi bombardime në Bejrut, Irani kërkon armëpushim nga SHBA-të në Liban

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ka urdhëruar ushtrinë të godasë objektiva në periferitë jugore të Bejrutit, një zonë e konsideruar bastion i grupit Hezbollah, në kuadër të zgjerimit të operacioneve ushtarake në jug të Libanit.
Sipas një deklarate zyrtare, vendimi është marrë për shkak të “shkeljeve të përsëritura të armëpushimit” nga Hezbollah, si dhe sulmeve ndaj qyteteve dhe civilëve izraelitë. Në urdhrin e përbashkët të Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, ushtria izraelite është autorizuar të godasë “objektiva terroriste” në zonën e Bejrutit jugor.
Në të njëjtën kohë, tensionet rajonale janë përshkallëzuar edhe në plan diplomatik. Ministria e Jashtme e Iranit ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të armëpushimit të brishtë mes palëve, pas sulmeve ajrore amerikane në territor iranian që kanë sjellë edhe kundërpërgjigje ushtarake. Zëdhënësi i diplomacisë iraniane, Esmail Baghai, tha se “SHBA-të po e shkelin armëpushimin” dhe paralajmëroi se Teherani nuk do të hezitojë të ndërmarrë masa për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
Ai shtoi gjithashtu se procesi diplomatik mes dy vendeve po zhvillohet në një klimë mosbesimi dhe deklaratash kontradiktore, duke theksuar se Irani nuk po diskuton aktualisht programin e tij bërthamor me Uashingtonin. Teherani ka përsëritur gjithashtu qëndrimin se çdo marrëveshje për uljen e tensioneve në rajon duhet të përfshijë si kusht themelor një armëpushim në Liban, ku operacionet ushtarake të Izraelit kundër Hezbollahut janë intensifikuar.


