Pas denoncimeve online, GoFundMe tregon si kontrollohen fondet dhe si ndëshkohen mashtrimet

Bota

Pas denoncimeve online, GoFundMe tregon si kontrollohen fondet dhe si

Rastet e dyshuara të keqpërdorimit të donacioneve online kanë rikthyer shqetësimin mbi sigurinë e fondeve të mbledhura në internet, sidomos pas denoncimeve të fundit në rrjetet sociale për abuzim me fushatat humanitare.

Në një intervistë për Euronews, Elisa Liberatori Finocchiaro, drejtoreshë e GoFundMe për Europën, ka deklaruar se rastet e mashtrimit monitorohen përmes inteligjencës artificiale dhe verifikimeve të vazhdueshme të identitetit të përfituesve.

“Kemi disa nivele kontrolli, nga algoritmet dhe inteligjenca artificiale deri te ekipet që monitorojnë vazhdimisht fushatat dhe verifikojnë identitetin e përfituesve”, thotë Elisa Liberatori Finocchiaro, Drejtoreshë e GoFundMe për Europën

Sipas platformës, në rastet kur konstatohet mashtrim, fushatat pezullohen menjëherë dhe donatorët rimbursohen plotësisht.

“Kur konstatohet sjellje mashtruese, fushatat pezullohen menjëherë dhe donatorët rimbursohen plotësisht. Personat që kanë vepruar me mashtrim ndalohen përgjithmonë nga përdorimi i platformës”, thotë ajo.

Përveç rasteve të abuzimit, të dhënat tregojnë se shqiptarët janë ndër donatorët më aktivë në platformën GoFundMe, veçanërisht në Itali, ku diaspora shqiptare kontribuon për raste emergjente shëndetësore, aksidente dhe ndihmë për familjet në Shqipëri.

Sipas të dhënave të platformës, vetëm në katër vitet e fundit janë mbledhur miliona euro përmes fushatave të diasporës shqiptare në Itali. Nga 91 mijë euro në vitin 2021, shifra ka arritur në rreth 900 mijë euro në vitin 2025, ndërsa vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë mbledhur rreth 660 mijë euro.

“Shumica e rasteve që shohim janë njerëz që jetojnë në Itali dhe hapin fushata për prindërit, familjarët apo miqtë e tyre në Shqipëri. Rastet më të shumta lidhen me nevoja shëndetësore dhe kauza mjekësore”, thotë Elisa Liberatori Finocchiaro.

Pas denoncimeve online, GoFundMe tregon si kontrollohen fondet dhe si

Një nga rastet më të njohura të suksesit të një fushate ishte ai i një 25-vjeçareje shqiptare në Modena, për të cilën u mblodhën rreth 253 mijë euro brenda pak ditësh.

“Mendoj se rasti i Dajanës ishte shembulli më domethënës, pasi ajo arriti të mblidhte rreth 253 mijë euro brenda vetëm pak ditësh. Ky rast tregon jo vetëm shkallën e mobilizimit, por edhe shpejtësinë me të cilën diaspora shqiptare reagon për të ndihmuar”, thotë ajo.

Nga viti 2021 deri në 2025 janë hapur gjithsej 569 fushata nga diaspora shqiptare në Itali. Megjithëse GoFundMe nuk operon ende zyrtarisht në Shqipëri për shkak të infrastrukturës financiare dhe sistemeve të pagesave, platforma e konsideron rritjen e përdorimit nga shqiptarët si një sinjal për zgjerim të mundshëm në të ardhmen.

ME TE LEXUARAT