Përplasje SHBA-Francë në OKB, delegacioni amerikan braktis mbledhjen pas kritikave për votimin mbi të drejtat e njeriut

Delegacioni i Shteteve të Bashkuara u largua nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë fjalës së ambasadorit të Francës, në shenjë proteste ndaj kritikave që Parisi i bëri Uashingtonit për qëndrimin e tij në një votim të fundit mbi të drejtat e njeriut.
Përplasja diplomatike nisi javën e kaluar, pasi SHBA votoi së bashku me Rusinë dhe Korenë e Veriut kundër zgjatjes së mandatit të Volker Turk si Komisioner i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Pas votimit, misioni francez në OKB kritikoi ashpër Uashingtonin në rrjetin social X, duke deklaruar se “SHBA dikur ishte një pishtar i të drejtave të njeriut. Jo më”.
Në reagim, ambasadori amerikan Mike Waltz akuzoi Francën se mbështeti një zyrtar që, sipas tij, ka kritikuar vendet demokratike, ndërsa ka treguar tolerancë ndaj regjimeve shtypëse.
Largimi i delegacionit amerikan ndodhi gjatë mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurimit për luftën në Ukrainë, ndërsa ambasadori francez Jerome Bonnafont mbante fjalën e tij. Ambasadori amerikan Dan Negrea deklaroi se SHBA do të vijojë me protesta të ngjashme derisa Franca të tërhiqet nga ajo që e cilësoi si “retorikë përçmuese dhe mosrespektuese”.
Mandati i dytë i Volker Turk u miratua me 144 vota pro, 10 kundër dhe 13 abstenime, mes tensioneve në rritje mes administratës amerikane dhe Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë, zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, refuzoi të komentojë largimin e delegacionit amerikan, duke u kufizuar të theksojë se organizata pret që të gjitha shtetet anëtare të respektojnë vendimet e saj.


