Protesta në Tiranë vijon, protestuesit paralizojnë qarkullimin në Unazën e Vogël

Bota

Protesta në Tiranë vijon, protestuesit paralizojnë qarkullimin

Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike në Tiranë ka vijuar për më shumë se katër orë, me qindra qytetarë të mbledhur në kryeqytet dhe të angazhuar në marshime në disa prej akseve kryesore rrugore.

Pas tubimit të zhvilluar përpara Kryeministrisë, protestuesit janë zhvendosur në një marshim të gjatë nëpër rrugët kryesore të qytetit, duke kaluar në Unazën e Vogël dhe duke vijuar drejt zonës së Brrylit, si dhe pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Gjatë lëvizjes së tyre, pjesëmarrësit kanë krijuar bllokime të konsiderueshme në qarkullimin rrugor, duke paralizuar përkohësisht trafikun në disa segmente të Unazës së kryeqytetit. Policia dhe drejtuesit e automjeteve kanë ndjekur nga afër situatën, ndërsa qarkullimi është ndikuar ndjeshëm nga prania e protestuesve.

Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët kanë vijuar marshimin mes thirrjeve dhe sloganeve të përsëritura, të cilat janë bërë pjesë e vazhdueshme e protestave të fundit. “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e Re” dhe “Poshtë kasta politike” janë disa nga thirrjet që janë dëgjuar përgjatë itinerarit.

Protesta pritet të vijojë, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar mbi përfundimin e saj apo hapat e radhës nga organizatorët.

ME TE LEXUARAT