Stuhia alarmon “MetLife Stadium”, rrufetë rrezikojnë ndeshjen Brazil–Marok në Kupën e Botës 2026

Një situatë e tensionuar atmosferike ka krijuar shqetësim në prag të ndeshjes mes Brazilit dhe Marokut, e vlefshme për Grupin C të Kupës së Botës 2026, që pritet të zhvillohet në “MetLife Stadium” në New Jersey.
Në orët para sfidës, zona përreth stadiumit është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta, duke ngritur pikëpyetje mbi kushtet e zhvillimit normal të takimit.
Sipas raportimeve nga terreni dhe pamjeve të publikuara nga gazetari i radios spanjolle SER, José Palacio, mbi kompleksin sportiv janë formuar re të dendura stuhie, ndërsa aktiviteti i rrufesë në zonë ka shtuar shqetësimet për sigurinë.
Ky zhvillim vjen në një moment kur organizatorët e turneut po përballen me vëmendje të shtuar mbi ndikimin e kushteve ekstreme të motit në ndeshjet e zhvilluara në Shtetet e Bashkuara, ku gjatë verës janë të zakonshme si temperaturat e larta ashtu edhe stuhitë e papritura.
Ekspertët e klimës kanë paralajmëruar se edicioni i ardhshëm i Botërorit mund të ndikohet nga fenomene të tilla atmosferike, duke e bërë menaxhimin e eventit më kompleks nga ana logjistike dhe e sigurisë.
Sipas protokolleve të sigurisë në SHBA, çdo aktivitet sportiv në ambiente të hapura mund të ndërpritet përkohësisht nëse konstatohet aktivitet rrufesh pranë zonës së ndeshjes, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike dhe garantimin e sigurisë së plotë për lojtarët dhe tifozët.