Raketa iraniane drejt Turqisë, reagon NATO: Dënojmë sulmin, Aleanca qëndron fort me të gjithë aleatët

Bota

 

Raketa iraniane drejt Turqisë, reagon NATO: Dënojmë sulmin,

NATO ka dënuar ashpër sulmin e Iranit ndaj Turqisë, duke theksuar se Aleanca qëndron e bashkuar me Ankaranë përballë kërcënimeve në rritje në rajon.

“Në e dënojmë sulmin e Iranit ndaj Turqisë. NATO qëndron fort me të gjithë aleatët e saj, përfshirë Turqinë, ndërsa Irani vazhdon sulmet e tij pa dallim në të gjithë rajonin”, deklaroi zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart.

Ajo theksoi gjithashtu se qëndrimi parandalues dhe mbrojtës i Aleancës mbetet i fortë në të gjitha fushat, duke përfshirë mbrojtjen ajrore dhe atë raketore, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen.

“Qëndrimi ynë parandalues ​​dhe mbrojtës mbetet i fortë në të gjitha fushat, duke përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore.”

Ditën e sotme, Turqia njoftoi se sistemet mbrojtëse të NATO-s interceptuan një raketë balistike të lëshuar nga Irani përpara se ajo të hynte në hapësirën ajrore turke.

“Një raketë balistike, e lëshuar nga Irani dhe e zbuluar duke u drejtuar drejt hapësirës ajrore turke pasi kaloi nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë, u interceptua në kohë dhe u neutralizua nga sistemet mbrojtëse të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor”, thuhet në deklaratën e ministrisë turke të Mbrojtjes.

Autoritetet turke bënë të ditur se një pjesë e municionit që ra në zonën Dörtyol, në provincën Hatay, i përkiste sistemit të mbrojtjes ajrore turke që realizoi ndërhyrjen në ajër. Nga incidenti nuk u raportuan viktima apo të lënduar.

Ministria Turke e Mbrojtjes tha gjithashtu: “Ju kujtojmë se rezervojmë të drejtën për t’iu përgjigjur çdo qëndrimi armiqësor ndaj vendit tonë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprime që mund të përkeqësojnë konfliktin në rajon. Në këtë kontekst, ne do të vazhdojmë të konsultohemi me NATO-n dhe aleatët tanë të tjerë.”

ME TE LEXUARAT