Tragjike në Rusi/ Avioni ushtarak përplaset me një shkëmb dhe rrëzohet, humbin jetën 29 persona

Një avion ushtarak rus u rrëzua në Krime, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë anëtarëve të ekuipazhit dhe 23 pasagjerëve, sipas njoftimit të agjencive ruse të lajmeve, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
Avioni ishte duke kryer një fluturim të rregullt mbi Gadishullin e Krimesë. Kontaktet me avionin u humbën rreth orës 18:00 të së martës.
Sipas raporteve, aeroplani rus turboprop u përplas me një shkëmb në zonën malore të rajonit Bakhchisarai. Komiteti Hetimor i Rusisë njoftoi se janë shtatë anëtarë ekuipazhi dhe 23 pasagjerë në bord, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse një prej ekuipazhit ka mbijetuar.
Hetuesit kanë nisur një hetim penal lidhur me respektimin e rregullave të fluturimit, ndërsa kërkimet po vazhdojnë në zonën malore dhe të pyllëzuar.
Agjencia Interfax citoi Ministrinë e Mbrojtjes, sipas së cilës një defekt teknik dyshohet se shkaktoi aksidentin, pa asnjë ndërhyrje të jashtme.
Avionët ushtarakë rusë kanë pësuar aksidente të shpeshta që kur Rusia dërgoi trupat në Ukrainë. Në dhjetor 2025, një An-22 u rrëzua në rajonin Ivanovo të Rusisë, duke vrarë shtatë persona, ndërsa më parë u regjistruan rrëzime të MiG-31 dhe Tu-22M3 në rajone të ndryshme të vendit.


