Aleanca i “hedh qymyr” qeverisë, partia e Haradinajt akuzon Albin Kurtin për terr energjetik

Kosovë&Rajon

Aleanca i “hedh qymyr” qeverisë, partia e Haradinajt akuzon

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, bashkë me anëtarë të tjerë të partisë, ka hedhur qymyr para selisë së Qeverisë, në shenjë proteste ndaj situatës energjetike dhe asaj që e cilëson si terr politik në vend.

“Me Kurtin dhe Vetëvendosjen gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit, Kosova, nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik. Ajo që e kemi tepër të qartë është se mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu”.

Ndërsa, duke folur për humbjet shumë milionëshe dhe sigurinë e punëtorëve në minierë, ai tha:

“Një prej pikave kryesore të ofertës gjashtëpikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet. Është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e në vende të tjera, e prej kësaj ka fituar vetëm mafia energjetike. Në kohët e fundit po shohim se punëtorët, të cilët e humbin jetën duke e nxjerrë këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike, as menaxheriale”.

Në hyrje të objektit u vendos edhe një pankartë ku shkruhej: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik.”

Aksioni i Aleancës vjen pak ditë pas marrëveshjes së Kosovës për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, marrëveshje që është kritikuar nga partitë opozitare.

ME TE LEXUARAT