Pas dorëheqjes, Arben Cara thyen heshtjen duke qenë kritik për zjarret : "Flakët kërkojnë mendje, jo vetëm avionë"

Dymbëdhjetë ditë pasi dha dorëheqjen nga drejtimi i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara ka bërë një reflektim kritik për mënyrën se si menaxhohen zjarret në vend.
Në një analizë të gjatë, ish-drejtori vë në shënjestër qasjen që, sipas tij, e mat suksesin me numrin e avionëve, helikopterëve dhe mjeteve të angazhuara në terren.
Ai kritikon edhe mënyrën se si krijohet perceptimi publik për menaxhimin e situatës, duke argumentuar se shfaqja e mjeteve ajrore krijon idenë se shteti ka reaguar dhe situata është vënë nën kontroll, ndërkohë që operacioni në terren vijon dhe zjarri nuk është domosdoshmërisht i shuar.
Analiza e Carës vjen në një kohë kur ende nuk janë bërë publike arsyet e dorëheqjes së tij dhe përçohet si një kritikë ndaj mënyrës se si, sipas tij, është konceptuar lufta me zjarret dhe të gjithë filozofisë së qeverisë lidhur me këtë betejë.
Në vend që vëmendja të përqendrohet te vendimmarrja, koordinimi dhe drejtimi i operacioneve, ai argumenton se debati publik në Shqipëri në këtë sezon zjarresh po dominohet nga numri i mjeteve, fluturimet e avionëve dhe helikopterëve, ndërsa roli i komandimit mbetet në plan të dytë.
Në mesazhin e tij, ish-drejtori shkon përtej aspektit teknik të menaxhimit të zjarreve dhe ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si komunikohet reagimi i shtetit në situata emergjente. Sipas Carës, investimi nuk duhet të jetë vetëm te shtimi i mjeteve, por edhe te aftësia për të marrë vendimet e duhura në minutat kritike, duke argumentuar se suksesi i një operacioni nuk matet me pamjet që transmetohen, por me dëmet që arrijnë të parandalohen.
Postimi i plotë i Arben Carës
Vendimi që merret në gjashtë minuta dhe gjykohet për gjashtë muaj!
Zjarri nuk barazohet me ujë dhe mjete. Të mendosh kështu është një doktrinë që të çon drejt vendimeve të gabuara. Në gjithë karrierën time, në çdo mbledhje, në çdo raport, në çdo emision televiziv pas një zjarri të madh, pyetja ka qenë pothuajse gjithmonë e njëjtë:
Sa mjete kishit ?
Nuk më ka pyetur pothuajse askush:
Çfarë vendimesh u morën në ato pak minuta kritike?
Ne kemi ndërtuar një kulturë ku serioziteti matet me gjëra të numërueshme:
Sa zjarrfikëse dolën.
Sa ton ujë u hodhën.
Sa fluturime bëri helikopteri.
Sa avionë erdhën nga jashtë.
Këto numra janë të bukur, janë të fotografueshëm dhe kanë një cilësi të pakontestueshme: numërohen. Por, sado e madhe të jetë shifra, ajo nuk mjafton.
Nëse zjarri shuhet, themi: mjetet e shuan.
Nëse zjarri nuk shuhet, themi: mjetet nuk mjaftuan. Në të dyja rastet, askush nuk ka gabuar. Dhe kërkesa për vitin tjetër bëhet sërish e njëjtë:
“Na duhen më shumë mjete"
Kam parë zjarre të mëdha të humbura me njëzet automjete në terren dhe zjarre të mëdha të fituara me pesë. Dallimi nuk ishte gjithmonë sasia. Dallimi ishte nëse dikush kishte menduar, në orën e parë, se ku do të ishte zjarri në orën e katërt.. Zjarri kërkon mendje…
Do të them diçka që ndoshta nuk më sjell shumë simpati, por është e vërtetë dhe e di çdo profesionist që ka drejtuar një zjarr të madh:
Mjeti ajror nuk e shuan i vetëm zjarrin e madh. Ai ngadalëson një krah, ftoh një front, blen minuta. Punën përfundimtare e bën njeriu në tokë: me vijë, me ekip dhe me mjet dore. Nëse pas hedhjes nuk ka ekip që e konsolidon menjëherë zonën, uji avullon dhe zjarri mund të rikthehet.
Por avioni ka një veçori tjetër:
Ai fluturon në lajmet e orës tetë.
I tregon qytetarëve se shteti erdhi. E mbyll debatin publik për 24 orë. Por zjarri nuk përfundon sepse nuk shihet më flaka. Mos shihni vetëm flakët e larta dhe përvëluese.
Djegia pa flakë mund të vazhdojë në shtresën e humusit, në rrënjë, në trungje të zbrazëta dhe në grumbuj gjethesh. Kjo djegie mund të ecë ngadalë, por të ruajë temperaturë për një kohë të gjatë.
Ky është rreziku i “injoruar”. Ai që shkakton dëme të mëdha. Ai për të cilin shpesh askush nuk mban përgjegjësi, sepse askush nuk e kupton se ku u mor vendimi i gabuar. Sepse komandanti pa flakët të ulen dhe u largua.
Faza e ftohjes nuk u konsiderua operacion, perimetri nuk u kontrollua i gjithi, shkaku nuk u hetua. Dhe kur them shkaku, nuk nënkuptoj vetëm pirromanin.
Nëntë parime për komandantin e zjarrit. Vendos mbi të ardhmen, jo mbi të tashmen
Mjeti që niset tani mund të mbërrijë pas 40 minutash, në një zjarr krejt tjetër. Çdo vendim merret kundrejt zjarrit të projektuar, jo vetëm atij të raportuar.
Komandanti nuk pyet vetëm: Ku është zjarri ? Ai gjykon: Ku do të jetë zjarri kur ekipi të mbërrijë atje ?
Vendimi i ftohtë në minutën e pestë është më i mirë se vendimi në panik në orën e tretë. Komandanti duhet të paracaktojë kriteret, jo të improvizojë reagimet. Nëse era ndryshon drejtim dhe kalon një prag të përcaktuar, sektori tërhiqet. Nëse fronti kalon një vijë të caktuar, evakuimi fillon. Vendimi i mirë është ai që është menduar përpara se të bëhet urgjent.
Vendos brenda ritmit të zjarrit, jo brenda ritmit të institucionit. Sa më i shpejtë zjarri, aq më e shkurtër duhet të jetë hierarkia.
Zjarri nuk pret shkresën.
Zjarri nuk pret mbledhjen.
Zjarri nuk pret zinxhirin e gjatë të miratimeve.
Në orën e parë ndërto strukturën e komandimit
Gjëja më e vlefshme që bën komandanti nuk është të japë pafund urdhra taktikë. Është të ndërtojë strukturën që do t’i mbajë urdhrat e ardhshëm si;
• Komandë.
• Komunikim.
• Sektorë.
• Informacion.
• Siguri.
• Logjistikë.
Pa taktikë në vazhdimësi nuk ka strategji
Komandanti që reagon vetëm ndaj asaj që sheh në çdo moment nuk po drejton zjarrin. Po ndjek zjarrin. Strategjia ndryshon kur ndryshojnë kushtet.
Vendos duke ditur gjithmonë ku janë njerëzit
Asnjë objektiv taktik nuk është më i rëndësishëm se siguria e ekipit.
Komandanti duhet të dijë:
Ku janë njerëzit? Ku do të jenë? Nga do të dalin? Çfarë rreziku po afrohet?
Rendit prioritetet e panegociueshme…
1. Jeta e zjarrfikësve
2. Jeta e popullsisë
3. Stabilizimi i situatës
4. Prona
5. Mjedisi
6. Gjënë e gjallë, etj..
Prioritetet nuk ndryshojnë sepse presioni mediatik ndryshon.
Pyet: A lejohet fizikisht kjo metodë ?
Gjatësia e flakës, rrezatimi termik, era, terreni dhe sjellja e zjarrit janë kufij fizikë, jo sugjerime. Nuk mund të urdhërosh një ekip të hyjë në një situatë që fizikisht nuk lejon mbijetesën e tij.
Taktika duhet t’i bindet fizikës.
Tërheqja dhe evakuimi nuk janë dështim
Tërheqja është kompetencë.
Evakuimi është vendim komandimi.
Komandanti i mirë nuk matet vetëm me sa metra përparoi. Matet edhe me faktin nëse kuptoi në kohë se kur duhej të ndalonte, të tërhiqej dhe të ndryshonte plan.
Por nëntë parime nuk zgjidhin çdo zjarr
As nëntë, as nëntëmbëdhjetë, sepse parimet nuk vendosin. Vendos njeriu.
Dhe njeriu vendos ashtu siç është përgatitur të mendojë, jo thjesht ashtu siç është urdhëruar të veprojë. Një listë e mësuar përmendësh nuk ka shpëtuar kurrë një situatë. Trajnimi i mendimit, përvoja, simulimi dhe kultura e komandimit.
Në fund, problemi nuk është vetëm sa mjete kemi
Një avion mund të kushtojë sa një pjesë shumë e madhe e buxhetit vjetor të një shërbimi. Një njeri i trajnuar për të menduar mirë në minutat kritike kushton shumë më pak.
Dhe këtu është paradoksi: Ne investojmë miliona në kapacitetin për të reaguar, por shumë më pak në kapacitetin për të vendosur. Çdo verë e bëjmë të njëjtën zgjedhje.
Dhe çdo shtator e paguajmë.
Zjarri nuk luftohet vetëm me ujë.
Nuk luftohet vetëm me mjete.
Nuk luftohet vetëm nga ajri.
Zjarri luftohet nga vendimi i duhur, në kohën e duhur, nga njeriu i duhur. Sepse vendimi i mirë nuk ka gjithmonë pamje televizive. Nuk fotografohet, nuk numërohet në raport, nuk bëhet gjithmonë lajm.
Por ka një veçori:
Pasojat e tij të mira janë të padukshme.
Sepse janë pikërisht ato gjëra që nuk ndodhën.
Dhe ky është ndoshta suksesi më i madh i një komandanti zjarri


