Arrestimi i 4 shqiptarëve në Serbi, Ministria e Jashtme : Po ndjekim rastin

Katër shqiptarë janë arrestuar nga policia në Serbi, teksa ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre në autostradë, me shumë gjasa për të shkuar drejt Polonisë për të parë nga afër ndeshjen që do të luhet mes 2 Kombëtareve.
Lajmin e konfirmoi ministria e Brendshme e Serbisë, e cila deklaroi se ata akuzohen për “nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.
Shqiptarët akuzohen se kanë përdorur fjalë të papërshtatshme ndaj Republikës së Serbisë dhe do të qëndrojnë në paraburgim për 48 orë, para se të dalin para Gjykatës.
“Është publikuar një video prej njërit prej të arrestuarve me fanellat e Shqipërisë Etnike dhe kanë thënë diçka ndaj shtetit serb. Janë arrestuar me alibi se kanë fyer Serbinë. Janë shtetas të Shqipërisë, që me shumë gjasa po shkonin në Poloni për ndeshjen.
Ata janë arrestuar në autostradë brenda Serbisë dhe janë në paraburgim 48 orë. Nesër do të dalin para Gjykatës për masën e sigurisë. Për arrestimin është publikuar edhe video ku bërtasin, bëjnë shqiponjën. Video brenda territorit serb”, deklaroi për Report TV gazetarja shqiptare në Luginën e Preshëvës, Ardita Behluli.
Ndërkohë në përgjigje të interesit të Report Tv për këtë çështje, ka reaguar edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Përmes zëdhënësit Alteo Hysi, Ministria e Jashtme deklaroi për Report TV se po e ndjek me vëmendje rastin në fjalë.
Po ashtu Ministria e Jashtme bën të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit, Ambasada u është drejtuar zyrtarisht institucioneve përkatëse në Serbi dhe ka kërkuar informacion të plotë mbi rrethanat e ndalimit.
Po ashtu, Ministria e Jashtme e Shqipërisë njofton se i ka bërë thirrje autoriteteve serbe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare.
Përgjigje e Zëdhënësit të MEPJ, Alteo Hysi
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd po ndjek me vëmendje të plotë rastin e ndalimit të katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet serbe.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, Ambasada u është drejtuar zyrtarisht institucioneve përkatëse në Serbi dhe ka kërkuar informacion të plotë mbi rrethanat e ndalimit, si dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë, në përputhje me legjislacionin vendas dhe standardet ndërkombëtare.
Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente, po ofron të gjithë asistencën e nevojshme konsullore, duke përfshirë edhe kontaktet me familjarët e të ndaluarve dhe mundësimin e kontakteve të tyre me avokatë.
Republika e Shqipërisë pret që çdo veprim i autoriteteve serbe të zhvillohet në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës, duke respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale për çdo qytetar.
Situata po ndiqet nga afër dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të trajtohet me seriozitetin maksimal./Shqiptarja


