Goditet organizata greko-shqiptare e trafikut në Greqi, 219 kg kanabis kapen në Portin e Pireut!

Rreth 219 kilogramë kanabisi e llojit ‘skunk’, u kap së fundmi në zonën e Pireut në Greqi gjatë një operacioni antidrogë që çoi në arrestimin e tre personave dhe zbulimin e një rrjeti të dyshuar greko-shqiptar trafiku.
Siç raportojnë mediat greke, operacioni nisi në mëngjesin e 9 marsit, pasi autoritetet morën informacione se sasi të mëdha droge po hynin në Greqi nga Spanja. Gjatë kontrollit në ambientet e një kompanie transporti në Atikën Perëndimore u zbuluan dy arka druri me 108 pako plastike kanabis të papërpunuar, rreth 122 kilogramë, të fshehura në hapësira të krijuara posaçërisht brenda tyre.

Një ditë më pas, në të njëjtin vend u gjetën edhe dy arka të tjera me 85 pako shtesë, rreth 96 kilogramë kanabis.
Pas kësaj, autoritetet organizuan një dorëzim të kontrolluar të drogës për të identifikuar marrësit. Dy persona u kapën në momentin që hynë me një furgon në një depo nëntokësore në Athinë për të marrë arkat. Bëhet fjalë për një 42-vjeçar grek dhe një 46-vjeçar shqiptar.
Në depo u gjetën edhe mjete që dyshohet se përdoreshin për hapjen, mbylljen dhe izolimin e arkave. Tek 42-vjeçari u sekuestruan gjithashtu një shkop policor i palosshëm dhe një thikë.
Një tjetër arrestim u bë në zonën e Nikeas në Atikë, ku u kap një 58-vjeçar grek që kishte dhënë me qira magazinën ku u çuan arkat me drogë. Në ambientet e biznesit të tij u gjetën tre peshore precize, dy laptopë, një numërues kartëmonedhash, 12 telefona celularë, nëntë karta SIM dhe shumë çanta udhëtimi.
Vlera e drogës së sekuestruar llogaritet të kalojë 750 mijë euro. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu një automjet, gjashtë telefona celularë dhe 3.600 euro cash, ndërsa hetimet vazhdojnë./Shqiptarja


