VIDEO/ “Albin, hajde poshtë”, protestuesit hedhin gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë

Kosovë&Rajon

VIDEO/ “Albin, hajde poshtë”, protestuesit hedhin gurë

Në Prishtinë vijojnë protestat pas vendimit të Gjykatës Speciale, që dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së.

Qytetarët janë zhvendosur nga zyrat e EULEX-it, para zyrave të qeverisë, duke gjuajtur edhe gurë në drejtim të godinës. Ata po shprehin revoltën e tyre ndaj aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, me thirrjet: “S’ka liri pa çlirimtarë”, “policia është e jona”, “poshtë spiunët”.

Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të dalë përballë dhe të takohet me ta. 

Sipas raportimeve, protestuesit po refuzojnë ta lirojnë rrugën, pavarësisht kërkesave të Policisë së Kosovës.

Protestat dhe revoltat nisën menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata speciale, e cila dënoi me 81 vite burg Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. 

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Edhe Jakup Krasniqi u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Gjykata e dënoi Krasiqin me 25 vite burg. 

Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli Veselin fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli Selimin fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

ME TE LEXUARAT