Pas përfundimit të protestës, Berisha mesazh për qytetarët, qeverinë dhe mediat

Pas përfundimit të protestës së mbajtur sot më 22 mars, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli me një deklaratë për mediat, ku falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe e cilësoi tubimin si një moment të rëndësishëm qëndrese dhe reagimi qytetar.
Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e kësaj date historike dhe adresoi mesazhe të forta politike ndaj qeverisë.
NJOFTIM PËR SHTYP
Berisha protestuesve: E nderuat 22 marsin! Edi Rama, jep dorëheqjen ose do të përfundosh ashtu siç s’ta pret mendja
Një përshëndetje vëllazërore, një mirënjohje e pakufishme.
Me guximin, trimërinë dhe qëndresën tuaj, e nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar: përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë.
Por, njëkohësisht, i dhatë edhe goditjen më të merituar diktaturës së sotme.
Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do të jetë edhe më e shkëlqyer, dhe për Edi Ramën nuk do të ketë më strofull, nuk do të ketë më vrimë miu ku të futet.
Kryengritja paqësore e shqiptarëve do t’u japë atyre ndëshkimin që meritojnë.
Do ta çojë tek etërit e tij mizorë.
Keni qenë të shkëlqyer… nuk di si ta përshkruaj sa shumë e nderuat sot 22 marsin.
E tmerruat Edvin Kristaq Ramën.
Prandaj, le të zotohemi në këtë shesh se nuk ka paqe në këtë vend me ata që kanë vjedhur dhe vazhdojnë të vjedhin si hijena pasuritë publike të shqiptarëve dhe pasurohen vetë.
Përdorin ligjet dhe mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tyre.
Qëndresa jonë, ndëshkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe ata do të përfundojnë në Lanë.
Do të përfundojnë në koshat e plehrave të historisë.
E patë vetë si ishte i rrethuar nga të katër anët me policë.
Por a ka rrethim që na pengon ne? Kurrë, mo kurrë!
Prandaj, Edi Rama, jep dorëheqjen sa më shpejt.
Jep dorëheqjen, sepse do të të tërheqim ashtu siç s’ta pret mendja.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE


