Deputetja Elda Hoti humb bashkëshortin, Ladi Ndoja ndahet papritur nga jeta në moshën 46-vjeçare

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka ndarë lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të bashkëshortit të saj, Ladi Ndoja, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 46-vjeçare.
Përmes një mesazhi prekës të publikuar në rrjetet sociale, Hoti i dha lamtumirën partnerit të jetës me fjalë që pasqyrojnë dhimbjen e madhe të humbjes.
“U prehsh në paqe, i miri i zemrës time! Ladi im, shpirti im. Do na mungosh gjithë jetën”, shkroi deputetja.
Më pas, vëllai i të ndjerit, Aleksandër Ndoja, bëri të ditur se Ladi Ndoja humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se vëllai ynë i dashur, Ladi Ndoja, u nda papritur nga jeta në moshën vetëm 46-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Një goditje e rëndë dhe e papritur për familjen tonë, që na ka lënë pa fjalë dhe me një dhimbje të pamasë.
Ladi la pas bashkëshorten e tij të dashur, Elda Hoti, dhe dy fëmijët e vegjël, të cilëve do t’u mungojë përgjithmonë.
Në këto çaste të vështira, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë miqve, të afërmve dhe dashamirësve, ndërsa përpiqemi të përballojmë këtë humbje të rëndë. U prehsh në paqe, i dashur Ladi! Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona”, shkroi ai.


