Si lindi shprehja “lotët e krokodilit”? Arsyeja pse zvarranikët e mëdhenj qajnë vërtet

Soft

Si lindi shprehja “lotët e krokodilit”? Arsyeja pse

Të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen “lot krokodili”, për të përshkruar dikë që bën sikur i vjen keq ose sikur është i trishtuar, ndërkohë që ndjenjat e tij nuk janë të sinqerta.

Kjo shprehje nuk ekziston vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në shumë gjuhë të tjera dhe e ka origjinën nga një besim i lashtë, sipas të cilit krokodilët derdhnin “lot të rremë” ndërsa hanin prenë e tyre.

Miti për lotët e krokodilëve daton prej shekujsh

Me kalimin e kohës, shprehja “lot krokodili” u përhap në traditën fetare, letërsinë mesjetare dhe më pas në veprat e autorëve të ndryshëm. Edhe William Shakespeare e përdori këtë ide në veprën e tij “Otello”, ku lotët e shtirur krahasohen me lotët e krokodilëve.

Por sa e vërtetë është kjo kur flasim për vetë kafshët që i dhanë jetë kësaj shprehjeje?

A qajnë vërtet krokodilët?

Po, krokodilët mund të nxjerrin lot, por këto nuk kanë lidhje me emocionet apo trishtimin. Ashtu si te shumica e gjallesave, lotët e tyre kanë një funksion biologjik.

Lëngu që prodhohet nga gjëndrat e lotit shërben për të pastruar dhe lubrifikuar sytë. Lotët bëhen më të dukshëm kur krokodilët qëndrojnë për një kohë të gjatë në tokë. Tek disa specie, si krokodilët e ujit të kripur, lotët ndihmojnë edhe në largimin e kripës së tepërt nga organizmi.

Në vitin 2006, neurologu Malcolm Shaner dhe studiuesi Kent Vliet nga Universiteti i Floridës hetuan nëse kishte ndonjë të vërtetë pas mitit se krokodilët “qajnë” gjatë ushqyerjes.

Studimi u krye në parkun zoologjik St. Augustine Alligator Farm në Florida, ku u vëzhguan shtatë krokodilë gjatë ushqyerjes. Pesë prej tyre shfaqën lot gjatë ngrënies, duke treguar se fenomeni ekziston realisht.

Shkencëtarët mendojnë se lotët gjatë ushqyerjes mund të shkaktohen nga ajri i ngrohtë që del me forcë nga rrugët e frymëmarrjes gjatë përtypjes, duke stimuluar gjëndrat e lotit.

A kanë krokodilët emocione?

Për shumë vite, shkencëtarët i kanë studiuar emocionet kryesisht te gjitarët dhe zogjtë, ndërsa zvarranikët konsideroheshin krijesa që vepronin vetëm nga instinkti.

Megjithatë, kërkimet e fundit kanë ndryshuar këtë perceptim. Studime të reja sugjerojnë se disa lloje zvarranikësh mund të përjetojnë gjendje si frika, stresi, dhimbja, ankthi dhe kënaqësia.

Janë vërejtur sjellje që tregojnë një botë më komplekse sesa mendohej më parë. Disa krokodilë janë parë duke luajtur, duke rrëshqitur në baltë ose duke shtyrë objekte, ndërsa komunikojnë me njëri-tjetrin përmes tingujve dhe gjuhës së trupit.

Në disa specie, femrat tregojnë kujdes të madh ndaj të vegjëlve të tyre, ndërsa këlyshët lëshojnë tinguj jo vetëm për të thirrur nënën, por edhe për të komunikuar.

Pra, krokodilët nuk qajnë nga trishtimi dhe as nga hipokrizia, siç sugjeron shprehja e famshme. Por shkenca tregon se këto kafshë janë shumë më komplekse sesa imazhi i krijuar ndër shekuj,  jo thjesht grabitqarë që udhëhiqen nga instinkti, por krijesa me sjellje sociale dhe aftësi që vazhdojnë të studiohen nga shkencëtarët.

ME TE LEXUARAT