Harta e re që “ndezi” protestat, Mazniku: Asnjë shërbim nuk cenohet! Boçi: Ndarja e bashkive, për llogari të PS

Propozimi i socialistëve për hartën e re territoriale, e cila shkrin 15 bashki ka shkaktuar debate jo vetëm mes aktorëve politikë por edhe mes përfaqësuesve të pushtetit lokal, qytetarëve si dhe përfaqësuesve të bizneseve të cilët preken nga këto ndryshime.
Më 30 korrik, dita e fundit e sesionit parlamentar, mazhoranca depozitoi ndryshimet ku nga 61 bashki numri u ul në 46. Por pa u bërë ende 24 orë nga depozitimi i propozimit, nisi oponenca qytetare, me protesta fillimisht në Divjakë, për tu shtrirë më pas edhe në Maliq, Klos, Përrenjas, Dimal e Poliçan, ku qytetarët kundërshtuan ndryshimet, me pretendimin se do të privoheshin shërbimet e kësisoj do të niste dhe fenomeni i migrimit brenda vendit.
Debatet kaluan edhe te mbledhjet e këshillave bashkiakë. Nga një anë ishin përfaqësuesit opozitarë, të cilët këmbëngulnin se institucionet vendore duhet të shprehin qëndrimin kundër, ndërsa nga ana tjetër socialistët dukeshin të paqartë.
Përfaqësues të këshillave bashkiakë të disa prej bashkive të prekura shpjegojnë arsyet se përse kjo reformë e re dëmton banorët, duke nisur nga shërbimet arsimore, tek ato shëndetësore e kështu me radhë.
“Në qoftë se do të ikë dhe Bashkia, do të shkojnë në Elbasan, atëherë shpresa ka vdekur për të gjithë popullin që ka ngelur aty. Mungesa e sistemit të vaditjes, e rrugëve të fshatrave, e pastrimit të kanaleve kulluese ka arritur deri në atë pikë sa kanë humbur shpresat njerëzit. Kjo vjen në të gjitha format, edhe për turizëm, por edhe për bujqësi, sepse po nuk pati bujqësi, nuk ka as turizëm”, tha Ilir Paja, anëtar i Këshillit Bashkiak, Belsh.
“Cenon së pari vendimmarrjen, së dyti shërbimin ndaj qytetarëve, së treti qytetarët nuk janë më të përfaqësuar, pasi nuk do të kenë më këshillin bashkiak. Pasi nuk do të kenë titullarin. Ne jemi shoqëri e cila duam ta takojmë kryetarin. Një ndër elementët është se ne nuk jemi të gatshëm për t’u bashkuar, pasi nuk kemi infrastrukturë rrugore. Imagjinojeni fshatin Ketë pa asfalt. Se si mund të shkojë një qytetar, një banor nga Keta për të marrë një shërbim në Burrel. Nëse do të ishin plotësuar kriteret, edhe ato më minimalet, më baziket... Pra, të kishte një rrugë, të kishte një kanal vaditës, të kishte një sistem uji të pijshëm, natyrisht që po të ishin plotësuar të gjitha këto kritere, edhe distanca midis fshatit Ketë dhe bashkisë së Burrelit është kohë shumë e gjatë dhe banori nuk mund ta marrë shërbimin me një kosto kaq të madhe”, tha Albert Çollaku, anëtar i Këshillit Bashkiak, Klos.
Në të njëjtën linjë qëndron dhe opozita. Bashkëkryetari demokrat i Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, i cilëson këto vendime të të majtëve si një déjà vu të reformës së vitit 2014, ku sipas tij u pa qartë se shërbimet nuk vijuan njësoj.
“Nuk ka kryetar të zgjedhur që dikush t’i kërkojë llogari në bazë të votës që e ka mbështetur apo s’e ka mbështetur, nuk ka rëndësi fare. Nuk ka përgjegjësi të shënuara, nuk ka buxhet, nuk ka autonomi që të shpërndajë fonde dhe nuk mund të ofrojë shërbime cilësore ajo, sepse nuk ka një paketë shërbimesh që i atashohen. Formalisht mund t’ia japë bashkia, por kur s’ke buxhet…”, u shpreh Luçiano Boçi, bashkëkryetar i PD-së për Reformën Territoriale.
Por teksa ka kaluar më shumë se një muaj nga propozimi i ri, socialistët nuk tërhiqen. Hartuesi i reformës territoriale, socialisti Arbjan Mazniku, qartëson se asnjë prej shqetësimeve të banorëve nuk ka vend në realitet, pasi bashkitë e shkrira do të funksionojnë njësoj, por si njësi administrative.
“Ndërkohë, qytetarët nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen, pasi asnjë shërbim — asnjë shërbim i cili sot u ofrohet në njësinë e tyre administrative apo në bashkinë e sotme — nuk do t’i mohohet në qytetin që krijohet me ligjin e ri. Ligji i ri krijon bashki, krijon qytetet dhe njësitë administrative. Çdo shërbim që i duhet qytetarit për të shkuar tek dera e institucionit, do të ofrohet aty ku është edhe sot”, deklaroi Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i PS-së për Reformën Territoriale.
Madje për socialistët, shkrirja me bashkitë e mëdha sjell më tepër mundësi për zonat më të vogla.
“Ne jemi nisur me një reformë nga këshillimi që kemi, që qytetarët të marrin shërbime më të mira. Që investimet në terren të bëhen më të mëdha dhe më eficiente. Që punët publike të administrohen në mënyrë më të mirë dhe të krijohet një ekonomi shkalle që të na japë mundësi që pastrimin ta bëjmë më mirë, mirëmbajtjen e shkollave ta bëjmë më mirë, pastrimin e kanaleve kulluese e vaditëse dhe atë të territorit ta bëjmë më mirë. Këto janë të gjitha punë që bëhen më mirë nga bashkimi”, deklaroi Mazniku.
Por demokratët kanë një qasje ndryshe.
“Bashkohet Tepelena me Memaliajn, mbi bazën e kujt kriteri? Është pyetja ime. Kush i caktoi kriteret? Kriteret do t’i përcaktonte analiza e 2014-ës, që ka të bëjë me sipërfaqen, me numrin e popullsisë, ka të bëjë me gjeografinë, ka të bëjë me historinë dhe identitetin. Dhe në fund fare ka arsye financiare që këta e sjellin si kryefjalë. Dhe thonë që bashkitë që nuk performojnë mirë duhet të bashkohen me bashkitë që performojnë mirë, ose bashkitë që mbledhin të ardhura vendore shumë, duhet të fusin në gjirin e tyre ato që nuk mbledhin. Por Tepelena me Memaliajn janë të dyja të varfëra. Si mund të bëhen dy të varfëra një e pasur?”, nënvizoi Boçi.
Nuk munguan as akuzat politike. Mazniku pretendon se propozimi i demokratëve për 100 bashki është manovër për rritje të punësimeve në administratë, ndërsa Boçi thotë se harta e re ka qëllime elektorale.
“Të jemi të sinqertë me publikun: nëse synimi këtu është të shtojmë disa zyra bashkie thjesht që të mbajmë disa njerëz në punë në bashki, atëherë krijojmë 200 ose 300 bashki dhe thjesht nuk i ofrojmë shërbime kërkujt. Synimi është të ofrojmë shërbime për qytetarët, të mirëmbajmë rrugët, të ndriçojmë qytetin, të pastrojmë, mirëmbajmë shkollat, të krijojmë ekonomi për territorin. Në atë moment na duhet të krijojmë bashki të forta që kanë kompetenca të mirëfillta. Nëse ne kemi bashki me pak njerëz, me pak bazë fiskale dhe me pak kapacitete njerëzore, këto bashki nuk do të kenë mundësi të bëjnë punën që bëjnë”, shtoi Mazniku.
“Për arsye elektorale. Siç është bërë 2014-2015-a, këtë pamje dhe fytyrë ka 2026-a. Në një situatë parazgjedhore, duhet një kontroll më i përqendruar dhe centralizues, duke ruajtur atë që ne donim të hiqnim. Dhe e gjitha kjo bëhet që të përdoret pushteti lokal siç është përdorur, jashtë funksionit të tij, si magazinë votash për pushtetin qendror. Ky ka qenë fokusi i PS-së që në momentin që nisi komisioni dhe i paralajmëruar nga ne. Insistuam që të kishim një produkt konsensual. Shfrytëzuan momentin kohor të agjendës së komisionit”, u shpreh Luçiano Boçi.
Verdiktin final e ka Kuvendi, pasi për miratimin e reformës së re territoriale kërkohen 84 vota. Megjithatë, mazhoranca është e qetë, pasi në parlament ajo i ka votat e nevojshme për ta miratuar.
Në Shqipëri, në tre dekadat e fundit janë bërë dy herë ndryshime që prekin territorin. E para ishte ajo e vitit 2000, e cila vendosi formimin e 12 qarqeve — të cilat aktualisht funksionojnë edhe sot — si dhe 36 rretheve me 373 bashki.
Këto vendime u ndryshuan me reformën e vitit 2014, e cila u realizua vetëm me votat e socialistëve. Vendi u nda në vetëm 61 bashki.
Sot, shumica dhe opozita kanë një mundësi që ta finalizojnë reformën me kompromis, por deri më tani marrëveshja mes tyre duket e pamundur.


