Ana tjetër e “trendit të viteve ’80”, rreziqe të fshehura që fillojnë me një foto personale

Ndërsa trendi i transformimit të fotove personale në pamje të frymëzuara nga vitet ’80 po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale, ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë për rreziqet e fshehura pas këtij fenomeni.
Ajo që duket si një lojë argëtuese, mund të shndërrohet në një mjet për mbledhjen e të dhënave vizuale dhe personale të përdoruesve.
Ekspertët paralajmëruan se këto faqe shpesh shfrytëzojnë kuriozitetin dhe padurimin e njerëzve, duke ofruar shërbime “falas” ose “me një klikim”, por në fakt mund të mbledhin të dhëna vizuale dhe personale.
Dr. Mohamed Mohsen Ramadan, Kryetar i Njësisë së Inteligjencës Artificiale dhe Sigurisë Kibernetike në Qendrën Arabe për Kërkime dhe Studime, theksoi se rreziku nuk qëndron tek vetë transformimi i imazhit, por tek mungesa e vetëdijes për atë që ndodh me fotot pasi ngarkohen në platforma të panjohura.
“Inteligjenca artificiale nuk e sheh imazhin vetëm siç e shohim ne, por e analizon në detaje – tiparet e fytyrës, ndriçimin, përbërjen – duke krijuar një bazë të dhënash të vlefshme për përdorime të tjera,” u shpreh ai.
Mw tej ai theksoi se, “Me përhapjen e çdo trendi global, shfaqen shpejt lidhje të rreme dhe aplikacione të panjohura, të cilat shfrytëzojnë kuriozitetin e përdoruesve nën tituj të tillë si ‘Transformoni imazhin tuaj falas’ ose ‘Mësoni si dukeshit në vitet tetëdhjetë me një klikim’. Këtu, argëtimi mund të shndërrohet në një kurth dixhital që synon mbledhjen e imazheve, vjedhjen e të dhënave të hyrjes ose shtyrjen e përdoruesit të instalojë aplikacione jo të besueshme.”
Eksperti paralajmëroi se ngarkimi i përsëritur i fotove nga kënde të ndryshme i jep platformës një koleksion të gjerë të dhënash vizuale, të cilat mund të shfrytëzohen për mashtrime, vjedhje identiteti apo krijimin e përmbajtjes së rreme.
“Mashtruesi nuk ka më nevojë të vjedhë imazhin tuaj, mjafton që ju ta ngarkoni vetë në vendin e gabuar,” shtoi Ramadan.
Nga ana e tij, Gjeneral Major Mahmoud Al-Rashidi, ish-Ndihmës Ministër i Brendshëm për Sigurinë e Informacionit në Egjipt, theksoi se inxhinieria sociale shfrytëzon kuriozitetin dhe nxitimin e përdoruesve.
“Sa më i përhapur të jetë trendi, aq më të mëdha janë mundësitë që mashtruesit ta shfrytëzojnë. Para se të pyesësh inteligjencën artificiale se si do të dukeshe në vitet ’80, pyete veten: Çfarë mund të ndodhë me imazhin tim në të ardhmen?” tha ai.
Al-Rashidi paralajmëroi se fotot personale nuk janë më thjesht kujtime dixhitale, por pjesë e identitetit që mund të përdoret për krime kibernetike.
Ai nënvizoi se mbrojtja e privatësisë nuk është vetëm përgjegjësi e kompanive, por nis me vetë përdoruesin.
“Parandalimi fillon përpara se të shtypni butonin ‘ngarko foton’. Kontrolloni besueshmërinë e platformës dhe mos ndiqni trendet pa qenë të vetëdijshëm për rreziqet,” tha ai.
Ekspertët këshillojnë përdoruesit të shmangin ngarkimin e fotove personale në aplikacione të panjohura, të mos përdorin imazhe të dokumenteve zyrtare apo të fëmijëve, dhe të rishikojnë politikat e privatësisë përpara se t’i japin akses një platforme. Në epokën e inteligjencës artificiale, një foto nuk është më thjesht argëtim, por një aset dixhital që mund të shfrytëzohet nëse bie në duar të gabuara.


