Një tjetër koalicion! Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj shkojnë bashkë në zgjedhjet e 11 majit!
Partitë Djathtas 1912, me kryetar Rezart Kthupin, pjesë e të cilës është dhe Enkelejd Alibeaj, dhe LZHK, me kryetar Dashamir Shehin kanë krijuar koalicion për të qenë pjesë e zgjedhjeve të 11 majit.
Në njoftimin zyrtar partitë e reja bëjnë me dije se koalicioni lindi si nevojë qe qytetarët të përfaqësohen realisht dhe zëri i tyre të dëgjohet.
"Ne, një grup partish politike, duke besuar: Se Shqipëria është në një fazë kritike të zhvillimit të saj dhe pushteti publik ka deficit të legjitimitetit demokratik, dhe se në Parlamentin e dalë nga zgjidhjet e 11 majit 2025 qytetarët duhet të përfaqësohen realisht dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet;
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Se Shqipëria ka nevojë për një demokraci funksionale, ku pushtetet të jenë realisht të ndara dhe të balancuara, ndaj ndryshimi i modelit politik, përtej rotacionit qeverisës, është një domosdoshmëri;
Se sistemi zgjedhor është i pabarabartë mes partive politike. Ai rrezikon të deformojë vullnetin e zgjedhësve dhe të prishë garën e hapur, duke krijuar rezultat të pandershëm në favor të partive të vjetra që kanë dominuar skenën politike prej dekadash dhe që janë bashkëautore të këtij sistemi zgjedhor;
Në rëndësinë historike që ka votimi për herë të parë i shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë shtetit dhe duke ndarë bindjen se diaspora duhet të përfaqësohet realisht në Parlament;
Se proçesi i integrimit evropian ka nevojë për një pakt efektiv me qytetarët shqiptarë dhe ndryshim të mendësisë politike, duke forcuar dialogun politik me njerëzit dhe për njerëzit;
Se vlerat themelore të secilës parti janë më të rëndësishme se sa ide të veçanta programore që na ndajnë dhe se koalicioni bazohet në respektin e ndërsjelltë për identitetin social, politik dhe programor të anëtarëve të tij”, thuhet në shkresën zyrtare.