"Nuk kam folur me Berishën", Binaj: Programi për Tiranën po përgatitet nga një ekip jopartiak
Kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, i cili gëzon mbështetjen e opozitës, Florjan Binaj zhvilloi këtë të martë takimin e parë me koordinatorët e forcave politike që janë rreshtuar në krah të tij.
Pas takimit, Binaj tha për mediat se takime të ngjashme do të zhvillohen në vijim, teksa sqaroi se programi i tij për kryeqytetin është duke u përgatitur në bashkëpunim me një ekip të pavarur.
“Sot u zhvillua takimi me përfaqësuesit, të dërguarit dhe koordinatorët e opozitës. Ishte një takim shumë i frytshëm për tu koordinuar me njëri tjetrin. Ne jemi të gjithë së bashku dhe unë si kandidat i pavarur, falë mbështetjes së të gjitha partive opozitare, u bëj thirrje qytetarëve që të na bashkohen pa dallim partie, sepse kjo është një çështje që i vlen shumë të gjithëve. Jemi duke punuar me një ekip jopartiak, që brenda një kohe të duhur të dalim dhe të tregojmë këtë program para qytetarëve”, tha Binaj.
I pyetur nëse ka pasur komunikim me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Binaj tha: “Nuk kam folur me zotin Berisha dhe e kam thënë që në daljet në fushatë do jem pa përfaqësimin e kryetarëve, por absolutisht jam i gatshëm të takoj çdo kryetar të partive të opozitës”.
“Ky bashkim që po ndodh tani është një tregues i jashtëzakonshëm i asaj që pritet të ndodhi. Jam kandidat i pavarur, i mbështetur nga të gjitha partitë e opozitës dhe nëse ju e shihni si një lloj varësie se mbështetja vjen jo vetëm nga PD, po atëherë jam i varur dhe nga partia Mundësia, dhe nga Nisma Thurje dhe nga Shqipëria Bëhet, nga të gjitha”, shtoi ai.