Protesta në Tiranë, raportuesi i PE: Jemi në dijeni, shqetësimet e qytetarëve janë serioze

Gjatë një konference në Parlamentin Evropian, gazetari shqiptar Julian Kasapi ngriti shqetësime lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe nëse Parlamenti Europian apo Bashkimi Europian ishin në dijeni të kësaj situate, veçanërisht lidhur me Kapitullin 27 për natyrën.
Në përgjigje, raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se këto çështje janë diskutuar edhe në seancat plenare dhe se BE është në dijeni të protestave dhe zhvillimeve në vend. Ai u shpreh se protestat pasqyrojnë shqetësime serioze sociale dhe ekonomike, përfshirë emigrimin e të rinjve, korrupsionin dhe mungesën e mundësive.
Schieder theksoi se Shqipëria ka një sistem politik dinamik dhe se protestat janë një formë e shprehjes demokratike. Ai shtoi se BE po mbështet reformat në drejtësi, përfshirë procesin e vettingut dhe rolin e SPAK-ut, si dhe po inkurajon përmirësime në shërbimet publike, ekonomi dhe standardet mjedisore në kuadër të procesit të integrimit europian.
Sipas tij, shqetësimet e qytetarëve duhet të merren seriozisht, ndërsa procesi i anëtarësimit në BE synon pikërisht përafrimin me standardet europiane që adresojnë këto probleme.
Përgjigjja e plotë e Andreas Schieder:
Po, faleminderit. Nëse e keni ndjekur debatin, edhe dje në seancën plenare, mund ta keni vënë re lehtësisht se të gjitha këto çështje luajtën një rol të rëndësishëm në diskutim.
Mendoj se ne jemi në dijeni të këtyre protestave dhe, nga ana tjetër, jemi gjithashtu të vetëdijshëm për zhvillimet që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Shqipëria ka një sistem politik shumë dinamik, ku shpesh rruga përdoret si formë e shprehjes politike.
Mendoj se shqetësimet e njerëzve që protestojnë janë serioze. Veçanërisht kur përdoret termi “largimi i trurit” (brain drain), bëhet fjalë për njerëz që ndodhen përballë zgjedhjes nëse duhet të kërkojnë mundësi jashtë vendit apo të qëndrojnë në Shqipëri.
Prandaj, këto protesta janë edhe një kërkesë për një të ardhme më të mirë, për një vend të lirë nga korrupsioni.
Duhet të themi se sot procesi i ashtuquajtur i vettingut ka përfunduar. Ishte një program dhjetëvjeçar për verifikimin dhe kontrollin e të gjithë personelit të sistemit të drejtësisë, duke ndërmarrë reforma të vështira dhe duke zbatuar gjithashtu mekanizma si SPAK-u.
Por protestat shprehin edhe kërkesën për një të ardhme më të mirë sociale, në kuptimin e përmirësimit të arsimit, spitaleve, shërbimeve shëndetësore, mjekëve, infermierëve dhe çështjeve të ngjashme.
Mendoj se kjo lidhet edhe me përmirësimin e situatës ekonomike, i nxitur kryesisht nga investimet në turizëm. Natyrisht, pyetja është se sa nga kjo rritje ekonomike përkthehet realisht në përfitime për shoqërinë. Kjo nuk është një pyetje e lehtë dhe as ekonomistët nuk kanë një përgjigje të qartë për të. Prandaj është një çështje e rëndësishme edhe për politikën.
Ne përpiqemi t’i japim një përgjigje kësaj edhe në raportin tonë, përmes nxitjes së dialogut social dhe masave të ngjashme.
Po ashtu, po ecet drejt programeve që synojnë kufizimin e përdorimit të parasë fizike për shuma të mëdha dhe kryerjen e pagesave vetëm përmes transfertave bankare, në kuadër të asaj që quhet politika “zero cash”, e cila konsiderohet një instrument i rëndësishëm.
Sa i përket shqetësimeve mjedisore, ne po i diskutojmë ato prej vitesh. Delta e Vjosës është nën mbrojtje edhe falë debatit europian, por edhe për shkak të veprimeve të qeverisë shqiptare. Tani po diskutojmë mënyrën se si duhet të trajtohen këto çështje.
Për të gjitha këto pyetje, përgjigjja është: më shumë Europë. Sepse Kapitulli 27 dhe e gjithë legjislacioni europian për faunën, habitatet dhe mbrojtjen e mjedisit synojnë të garantojnë që natyra të mos dëmtohet nga investimet e mëdha.
Mendoj se, pavarësisht debatit mbi atë se çfarë është plotësisht e vërtetë dhe çfarë jo, pasi ka shumë informacione lidhur me investitorët, projektet dhe investimet, është e rëndësishme që shqetësimet e qytetarëve të merren seriozisht.
Por është po aq e rëndësishme të kuptohet se standardet europiane synojnë pikërisht adresimin e këtyre shqetësimeve. Kjo do të thotë se një vend që ecën në mënyrë të qëndrueshme drejt Bashkimit Europian po i përgjigjet njëkohësisht edhe kërkesave të qytetarëve që sot protestojnë në rrugë.


