PE miraton me 483 vota raportin për Shqipërinë. Bie amendamenti kundër projektit të dhëndrit të Trump në Sazan

Politikë

PE miraton me 483 vota raportin për Shqipërinë. Bie amendamenti

Parlamenti Europian ka miratuar në seancën e sotme rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 483 vota pro, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit europian të vendit.

Teksa shumica e draftit ishte i njëjtë me atë që ishte miratuar pak kohë më parë në Komisionin e Jashtëm, eurodeputetët u vunë përballë dy amendamenteve për ndërtimet në zonat e mbrojtura, nisur edhe nga zhvillimet e fundit në Zvërnec dhe deklaratat për investimin në Sazan.

Mësohet se fillimisht deputetët e Parlamentit Europian rrëzuan një amendament nga shtatë eurodeputetë të të majtës, që përfshin deputetë radikalë, të cilët donin të përfshinin në variantin përfundimtar të rezolutës ngritjen e shqetësimit për marrëveshjen e qeverisë shqitpare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner.

“Parlamenti Europian shpreh shqetësime, për rrjedhojë, lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompani private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”, thuhet në amendamentin e rrëzuar në mbledhjen e deputetëve.

Pas këtij momenti, 13 eurodeputetë të grupit të të gjelbërve, propozuan një amendament, i cili ndër të tjera kërkon edhe vendosjen e një moratoriumi për lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura deri në shfuqizimin e ligjit për këto zona.

“Parlamenti Europian u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës”, thuhet në amendamentin e pranuar.

Amendamenti i rrëzuar

Parlamenti Europian shpreh shqetësime, për rrjedhojë, lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompani private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026.
Amendamenti i pranuar

46a. Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur natyrore të Vjosës tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zona me vlera të njohura ekologjike; ndjek nga afër protestat paqësore të vazhdueshme në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

ME TE LEXUARAT