Detaje nga dosja "Black Eagle", dalin pamjet e takimit në Aruba. Biseda për kokainë, investime në resorte dhe biznese

Zbardhen detaje nga dosja e SPAK "Black Eagle" mbi mega-operacionin e fundit i cili ka goditur një nga rrjetet më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave në Shqipëri, duke sekuestruar 150 milionë euro pasuri.
Organizata akuzohet për trafikimin e rreth 50 tonë kokainë nga Amerika Latina drejt Bashkimit Europian, si dhe për pastrimin e fitimeve marramendëse në sektorin e ndërtimit, hoteleve dhe pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe në bregdetin e Jugut.
Në dosje zbulohen për herë të parë imazhet nga takimi i Arubas, ku është diskutuar organizimi i trafikut ndërkombëtar të kokainës, si dhe qarkullimi i shumave të konsiderueshme monetare, të përfituara nga aktiviteti i dyshuar kriminal.
Nga dosja mësohet se në takimin e Arubas kanë marrë pjesë Artur Shehu, Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë vijuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjyqësore dhe policore të disa vendeve, përmes letërporosive ndërkombëtare të shkëmbyera me Spanjën, Belgjikën dhe Francën, si dhe me institucionet Europol dhe Eurojust.
Sipas materialeve hetimore, këto hetime kanë ndihmuar në zbardhjen e një rrjeti të gjerë të dyshuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Në fokus të hetimeve janë disa persona nën procedim, përfshirë Adrian Rama dhe Artur Shehu, për të cilët autoritetet spanjolle kanë kryer verifikime dhe hetime në lidhje me aktivitet të dyshuar kriminal në disa shtete.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe letërporositë
SPAK ka kërkuar dhe marrë informacion nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Spanjës për të verifikuar nëse ndaj personave të përmendur po zhvilloheshin hetime për trafik narkotikësh. Në vijim, përmes letërporosive të tjera drejtuar Belgjikës dhe Francës, janë siguruar të dhëna nga dosje të mëparshme hetimore, përfshirë edhe procedime të lidhura me operacione ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Në kuadër të hetimeve është siguruar edhe material nga një dosje e njohur si “Black Eagle – Shqiponja e Zezë”, si dhe një vendim i Gjykatës së Brukselit për një person të dënuar për trafik narkotikësh.
Një rol të rëndësishëm në hetim kanë pasur edhe komunikimet e platformës së enkriptuar “Sky ECC”, të siguruara përmes bashkëpunimit me Europol dhe autoritetet franceze. Këto komunikime, së bashku me përgjime elektronike dhe dokumente noteriale, janë përdorur për analizimin e aktivitetit të dyshuar kriminal dhe lidhjeve ndërkombëtare të tij.
Takime dhe aktivitet i dyshuar ndërkombëtar
Nga analiza e të dhënave të përftuara nga burime të ndryshme – përfshirë autoritetet gjyqësore spanjolle, komunikimet e enkriptuara, përgjimet elektronike dhe aktet noteriale – rezulton se personat nën hetim dyshohet se kanë marrë pjesë në takime të zhvilluara në Majorka, Belgjikë, Monako dhe Aruba gjatë periudhës 2018–2021.
Sipas materialeve hetimore, në këto takime është diskutuar organizimi i trafikut ndërkombëtar të kokainës, si dhe qarkullimi i shumave të konsiderueshme monetare, të përfituara nga aktiviteti i dyshuar kriminal.
Hetimet sugjerojnë gjithashtu se më pas janë kryer investime në pasuri të paluajtshme dhe sektorin e ndërtimit në Shqipëri, përmes skemave të ndryshme që dyshohet se kanë shërbyer për fshehjen e origjinës së fondeve.


Skema e dyshuar e pastrimit të parave
Sipas dosjes, paratë e dyshuara të përfituara nga trafiku i drogës janë qarkulluar përmes blerjes dhe rishitjes së pasurive të paluajtshme, investimeve në kompani ndërtimi dhe përdorimit të personave të tretë për administrimin e pronave.
Hetuesit dyshojnë se janë përdorur struktura komplekse pronësore dhe transaksione të shumta për të humbur gjurmët e origjinës së fondeve, duke përfshirë edhe ndërmjetës familjarë dhe shoqërorë.
Letërporosia spanjolle dhe personat nën hetim
Sipas letërporosive të autoriteteve spanjolle, disa persona të përfshirë në hetim dyshohet se kanë marrë pjesë në takime ndërkombëtare në kuadër të organizimit të trafikut të drogës drejt Evropës.
Adrian Rama përmendet si pjesëmarrës në takime në Spanjë, Monako dhe Belgjikë, ku dyshohet se janë diskutuar operacione të trafikut të kokainës dhe logjistika e transportit të saj. Në disa raste ai ka qenë i shoqëruar nga persona të tjerë të përfshirë në hetim.
Artur Shehu përshkruhet si pjesëmarrës në takime në disa shtete evropiane dhe jashtë Evropës, ku dyshohet se janë planifikuar operacione për blerjen, transportimin dhe futjen e sasive të mëdha të drogës në tregun evropian.
Elton Memeti përmendet si person i lidhur me dy të mësipërmit, i pranishëm në disa takime ndërkombëtare dhe i përfshirë në komunikime të lidhura me aktivitetin e dyshuar kriminal.
Në materialet hetimore përmenden edhe persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në disa vende të botës, ku është diskutuar organizimi i trafikut të drogës dhe menaxhimi i fitimeve.
Operacione të mëparshme dhe lidhje ndërkombëtare
Dosja përmend gjithashtu lidhje me operacione të mëparshme policore ndërkombëtare, përfshirë sekuestrimin e 441 kilogramëve kokainë në Barcelonë në janar 2020 dhe arrestime të lidhura me këtë rast.
Sipas hetuesve, këto episode konsiderohen pjesë e një rrjeti më të gjerë ndërkombëtar të trafikut të drogës.
SPAK dhe autoritetet ndërkombëtare vijojnë analizimin e komunikimeve të enkriptuara, dokumenteve financiare dhe materialeve të ardhura nga letërporositë, në kuadër të hetimeve që mbeten në fazë paraprake dhe nën verifikim të mëtejshëm ligjor.
Sipas të dhënave të përfituara nga letërporosia e autoriteteve të drejtësisë spanjolle, në kuadër të procedimit penal nr. 1069/2018, janë evidentuar një sërë rrethanash që lidhen me veprimtarinë e dyshuar të disa personave nën hetim, përfshirë Adrian Rama, Artur Shehu dhe të tjerë, në kuadër të një rrjeti të strukturuar që dyshohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe investime të mëvonshme në pasuri të paluajtshme.
Adrian Rama – komunikime, takime dhe lidhje ndërkombëtare
Sipas letërporosisë, personi nën hetim Adrian Rama është hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 1069/2018 si person që, nëpërmjet ndërmjetësimit të Arben Ismailaj, ka pasur komunikime me Alfredo Hamzai (alias Genc Bedini, alias Genci Tanasi), me qëllim saktësimin e detajeve të një operacioni të dyshuar për trafikim narkotikësh.
Ai dyshohet se ka marrë pjesë në takime të zhvilluara në Majorka, së bashku me shtetasit Bashkim Osmani (Kosovë), Toni Lipaj, Artur Shehu, Arben Ismailaj dhe persona të tjerë. Në këto takime, sipas materialeve hetimore, kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë të përfshirë në hetim.
Gjithashtu, Adriani Rama rezulton i shoqëruar nga personi nën hetim Elton Memeti në një takim të zhvilluar në Monako me Arben Ismailaj dhe Alfredo Hamzai, ku dyshohet se është diskutuar mbi trafikimin e kokainës nga Surinami drejt Evropës.
Ai rezulton gjithashtu i pranishëm në disa takime në Belgjikë me Alfredo Hamzai dhe djalin e tij, Arte Hamzai, gjithashtu i shoqëruar nga Elton Memeti.
Artur Shehu – takime ndërkombëtare dhe koordinim i aktiviteteve
Sipas dosjes, Artur Shehu është hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 1069/2018 si pjesëmarrës në një sërë takimesh të zhvilluara në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës, me qëllim blerjen, transportimin dhe futjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në territorin evropian.
Ai rezulton i pranishëm në takime në Spanjë, Monako, Gjermani, Aruba dhe vende të tjera, ku dyshohet se është diskutuar organizimi i trafikut ndërkombëtar të drogës dhe logjistika e transportit të saj.
Në këto takime, sipas materialeve hetimore, kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë të identifikuar në dosje, përfshirë Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Leonard Bishaj, Bujar Shehaj, Alfredo Hamzai dhe persona të tjerë.
Elton Memeti – rol shoqërues dhe pjesëmarrje në takime
Elton Memeti përshkruhet në dosje si person i lidhur drejtpërdrejt me Artur Shehu dhe Adrian Rama, të cilët zakonisht i shoqëron në takimet e tyre ndërkombëtare.
Ai rezulton pjesëmarrës në takime të zhvilluara në Spanjë, Monako, Gjermani dhe Aruba, ku sipas hetimeve dyshohet se është diskutuar blerja, transportimi dhe shpërndarja e sasive të mëdha të drogës drejt tregut evropian.
Takime në Monako, Majorka dhe Aruba – objekt i hetimit
Sipas autoriteteve spanjolle, nga hetimet rezulton se personat nën hetim kanë marrë pjesë në takime të zhvilluara në Majorka, Monako dhe Aruba, të cilat dyshohet se lidhen ngushtë me operacione të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Këto takime, sipas materialeve, kanë shërbyer si platformë për koordinimin e aktiviteteve kriminale dhe më pas për investime në sektorë të ndryshëm ekonomikë në Shqipëri.
Lidhjet me investime në “Green Coast”
Nga analizimi i të dhënave të përftuara nga ekspertiza e pajisjeve elektronike, janë gjetur materiale që lidhin personat nën hetim me investime në kompleksin “Green Coast”.
Në pajisje të lidhura me Arben Ismailaj është gjetur një profil i lidhur me numrin e telefonit 355692022894, që përkon me një person të identifikuar si drejtues projektesh në një kompani ndërtimi të njohur.
Gjithashtu, në aparatet telefonike të Arben Ismailaj dhe Alfredo Hamzai janë gjetur skedarë multimedialë (foto dhe video) që lidhen me projekte ndërtimi dhe toka në zonën e bregdetit shqiptar. Shumë prej këtyre materialeve rezultojnë të njëjta në pajisje të ndryshme, duke sugjeruar shkëmbim të drejtpërdrejtë informacioni mes tyre.
Në një komunikim të përftuar nga platforma e enkriptuar “Sky ECC”, përdoruesi AIMCSV (i identifikuar si Ardian Zykaj) i dërgon fotografi përdoruesit 7B9F5E (i identifikuar si Alfredo Hamzai), të cilat lidhen me projekte ndërtimi pranë kompleksit “Green Coast”.
Në një tjetër rast, në pajisjen e përdorur nga Hamzai, është gjetur një numër kontakti i lidhur me një person të identifikuar si Adrian Rama, i cili rezulton gjithashtu i përfshirë në të njëjtin zinxhir komunikimesh dhe dokumentesh.

“Green Coast II” dhe projektet e zgjerimit
Në materialet hetimore përfshihen edhe fotografi dhe video të dërguara përmes komunikimeve të koduara, të cilat dyshohet se tregojnë zhvillime ndërtimore të lidhura me një fazë të dytë të projektit “Green Coast II”.
Sipas dosjes, këto materiale janë përdorur në komunikime mes personave të hetuar për diskutimin e zgjerimit të projekteve dhe zhvillimeve në zonën bregdetare të jugut të Shqipërisë.
Përdorimi i Sky ECC dhe identifikimi i kontakteve
Në kuadër të analizës së komunikimeve të Sky ECC, janë identifikuar përdorues të ndryshëm të lidhur me persona nën hetim, përmes pin-eve dhe pseudonimeve të koduara.
Në disa raste, komunikimet përmbajnë shkëmbim fotosh, mesazhesh dhe koordinim të aktiviteteve të lidhura me investime dhe zhvillime ndërtimore, të cilat sipas hetuesve dyshohet se janë përdorur si mekanizëm për pastrimin e produkteve të veprës penale.
Lidhje të dyshuara midis trafikimit dhe investimeve
Sipas dosjes, të dhënat e përftuara nga letërporositë dhe analizat e pajisjeve elektronike sugjerojnë një lidhje të mundshme midis aktivitetit të dyshuar të trafikut të narkotikëve dhe investimeve në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, përmes përdorimit të strukturave të ndryshme juridike dhe personave të tretë.
SPAK vijon analizimin e të gjitha të dhënave të përftuara nga letërporositë ndërkombëtare, komunikimet e enkriptuara dhe dokumentacioni financiar, në kuadër të një hetimi kompleks që mbetet në zhvillim dhe nën verifikim të plotë ligjor.


