Rama në Samitin e Diasporës: Edhe Shqipëria ishte gati dhe hapi grupkapitujt me BE

Në ditën e dytë të Samitit të Diasporës, kryeministri Edi Rama u është drejtuar të gjithë shqiptarëve që e ndërtuan jetën jashtë, me mesazhe të forta për guximin, forcën dhe arritjet e tyre.
Rama tha se ata ndërtuan jetën dhe karrierën jashtë vendit, duke mposhtur stereotipet dhe duke dëshmuar me punë dhe fisnikëri vendin që meritonin të kishin.
“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj, Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajtën gjuhën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare.
Sot kur bota është me e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala si kurrë më parë vjen në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju jeni zgjatimi i Shqipërisë kudo në botë.
Ka pasur një kohë kur shqiptarët iknin nga atdheu duke i mbajtur zemrat si gurë mbi shpinë, duke marrë me vete guximin e kujt s’ka asgjë për të humbur dhe dhimbjen e ndarjes me gjithçka. Por atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme, ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë.
Sot diaspora shqiptare nuk është histori ikje, por e shumëfishimit të forcave të kontributit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë.
Shqiptarët ndërtuan jetë, familje karrierë, sipërmarrje, në vende që nisën t’i njohin ata jo përmes stereotipeve, por përmes dobisë, qëndrueshmërisë dhe fisnikërisë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri një paralelizëm me këmbënguljen e shqiptarëve që emigruan në botë për t’iu hapur dyert, dhe rrugëtimit të Shqipërisë me po aq këmbëngulje për t’u bërë pjesë e BE.
“Ju këmbëngulët në pritje, duke qenë gati për derën kur të hapet, edhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati kur dera u hap dhe për këtë arsye hapi kapitujt për anëtarësim më shpejt se çdo vend tjetër”, tha Rama.


