Freddie Mercury dhe dashuria e tij e jashtëzakonshme për macet

Këngëtari legjendar i “Queen” Freddie Mercury, njihej jo vetëm për zërin e tij të jashtëzakonshëm dhe performancat ikonike, por edhe për një dashuri të thellë dhe të pazakontë ndaj maceve të tij, sipas “The Rolling Stones”.
Sipas burimeve biografike dhe dëshmive të të afërmve, Mercury u njoh fillimisht me dy mace, Tom dhe Jerry, falë partneres së tij, Mary Austin.
Me kalimin e viteve, ai arriti të kujdesej për deri në 10 mace, të cilave u kushtonte vëmendje të jashtëzakonshme: secila kishte hapësirën e vet në shtëpi, madje edhe trajtime të veçanta gjatë festave si, Krishtlindjet.
Kjo lidhje e fortë u reflektua edhe në krijimtarinë e tij artistike.
Në vitin 1985, Mercury i dedikoi albumin e tij solo “Mr. Bad Guy”maceve të tij, duke shkruar në shënimet shoqëruese një dedikim të drejtpërdrejtë për to dhe për të gjithë adhuruesit e maceve.
Po ashtu, një nga këngët më personale të repertorit të “Queen” – Delilah, u frymëzua nga macja e tij e preferuar me të njëjtin emër dhe u përfshi në albumin “Innuendo”.
Figura e maceve u shfaq edhe në elementë vizualë të grupit, përfshirë kopertina dhe videoklipe.
Në muajt e fundit të jetës së tij, Mercury thuhet se kaloi orë të tëra duke pikturuar macen e tij të dashur, Delilah.
Në një nga intervistat e tij të fundit me gazetarin David Wigg, ai deklaroi se kishte përfshirë si Mary Austin ashtu edhe macet e tij në testament, duke theksuar lidhjen e fortë emocionale që kishte me to.
Kjo anë më pak e njohur e artistit hedh dritë mbi dimensionin personal të Freddie Mercury, duke treguar se pas figurës së një ylli botëror fshihej një njeri me ndjenja të thella dhe përkushtim të rrallë ndaj kafshëve që i konsideronte pjesë të familjes.


