Dieta e pashëndetshme në moshë të hershme lë pasoja të zgjatura në funksionimin e trurit

Soft

Dieta e pashëndetshme në moshë të hershme lë pasoja

Një dietë e pasur me yndyrë dhe sheqer në jetën e hershme mund të shkaktojë ndryshime afatgjata në mënyrën se si truri rregullon marrjen e ushqimit, edhe pasi dieta e pashëndetshme të ndërpritet dhe pesha e trupit të kthehet në nivele normale.

Gjetjet e mësipërme u morën në studimin e tyre nga shkencëtarët në Institutin e Kërkimeve të Mikrobiomës APC në University College Cork (UCC).

Hulumtimi nxjerr në pah ndikimin afatgjatë të këtij ekspozimi të hershëm të fëmijëve ndaj ushqimeve të pashëndetshme, duke demonstruar se konsumi i shpeshtë i ushqimeve me dendësi të lartë energjie dhe me pak lëndë ushqyese gjatë fëmijërisë mund të formësojë preferencat dhe të krijojë modele të pashëndetshme të të ngrënit që vazhdojnë në moshë madhore.

Ndryshimet në sjelljen e të ngrenit

Në mënyrë specifike, studiuesit zbuluan se ekspozimi ndaj një diete me shumë yndyrë dhe shumë sheqer gjatë jetës së hershme në një model paraklinik të miut çoi në ndryshime të vazhdueshme në sjelljen e të ngrënit në moshë madhore.

Këto ndryshime janë lidhur me çrregullime afatgjata në hipotalamusin e të rriturve, një rajon kyç i trurit i përfshirë në kontrollin e oreksit dhe ekuilibrin e energjisë.

Neutralizimi i efekteve

Studimi, i botuar në revistën Nature Communications, tregon gjithashtu se ndërhyrjet që synojnë mikrobiomën e zorrëve, duke përfshirë një lloj specifik të baktereve të dobishme (Bifidobacterium longum APC1472) ose fibrat prebiotike (fruktooligosakaride dhe laktooligosakaride), të pranishme natyrshëm në ushqime të tilla si qepët, hudhrat, preshi, shpargu dhe bananet dhe të disponueshme gjerësisht në ushqime dhe suplemente të fortifikuara, mund të ndihmojnë në neutralizimin e këtyre efekteve të lidhura me dietën./Lajmi i Fundit

ME TE LEXUARAT