Filozofia azteke: Sa me fat jeni që nuk jeni në burg tani

Soft

Filozofia azteke: Sa me fat jeni që nuk jeni në burg tani

Nga Jonny Thomson

Katër vjet më parë, lexova në lajme se një djalë me të cilin kisha qenë në shkollë ishte dënuar me 10 vjet burg për vrasje pa paramendim. Në një ditë tjetër, në një vend tjetër, ai me shumë gjasë thjesht do të ishte kthyer në shtëpi dhe askush nuk do të kishte thënë asgjë.

Ngjarja ndodhi gjatë një daljeje natën. Niku ka qenë gjithmonë pak i ashpër, tip që bërtet, shtyhet dhe sillet në mënyrë agresive. Ishte shumë i mirë në fushën e regbisë  dhe ne thjesht e linim të bërtiste ose të godiste murin sa herë që nervozohej.

Katër vjet më parë, lexova në lajme se një djalë me të cilin kisha qenë në shkollë ishte dënuar me 10 vjet burg për vrasje pa paramendim. Në një ditë tjetër, në një vend tjetër, ai me shumë gjasë thjesht do të ishte kthyer në shtëpi dhe askush nuk do të kishte thënë asgjë.

Ngjarja ndodhi gjatë një daljeje natën. Niku ka qenë gjithmonë pak i ashpër, tip që bërtet, shtyhet dhe sillet në mënyrë agresive. Ishte shumë i mirë në fushën e regbisë  dhe ne thjesht e linim të bërtiste ose të godiste murin sa herë që nervozohej.

Por në moshën 19-vjeçare, Niku ishte jashtë një pabi duke pirë me miqtë e tij. Dikush kaloi me forcë pranë tij dhe i derdhi gjithë birrën. Niku u zemërua. Niku gjithmonë zemërohej. Pati pak shtyrje, pak britma, dhe Nikue goditi me grusht.

Grushti e goditi tjetrin në mjekër dhe e hodhi mbrapa drejt xhamit të një vitrine dyqani. Xhami u thye dhe copat i prenë arterien karotide. Ai vdiq para se të mbërrinte ambulanca. Niku u arrestua. Ai është ende në burg.

Shumë njerëz që po e lexojnë këtë artikull kanë goditur dikë me grusht në jetën e tyre. Shumë kanë shtyrë apo përplasur dikë. Megjithatë, ju jeni të lirë dhe po lexoni këtë mes njerëzve të tjerë. Sipas filozofisë, ju keni "fat moral". Grushti apo shtyrja juaj nuk përfundoi duke vrarë dikë.

Fati moral i të shpëtuarit pa pasoja

Termi "fat moral" u shfaq për herë të parë në një shkrim të vitit 1976 nga filozofi britanik Bernard Williams. Williams pyeti nëse "gjykimi moral" duhet të zbatohet vetëm për gjërat që janë në kontrollin tonë. Pikëpamja klasike, e trashëguar nga Immanuel Kant, ishte se nëse ke bërë më të mirën tënde, duhet të gjykohesh mbi këtë bazë. Qëllimet e mira e bëjnë një veprim moral; qëllimet e këqija e bëjnë imoral. Si kanë dalë gjërat në fund, nuk ka shumë rëndësi.

Williams mendonte se kjo ishte e gabuar, ose të paktën tepër e thjeshtuar. Ai na kërkoi të imagjinonim raste ku dy persona bëjnë pikërisht të njëjtën gjë, me të njëjtin qëllim, të njëjtën pakujdesi, të njëjtin karakter, dhe megjithatë njëri përfundon vrasës, ndërsa tjetri kthehet në shtëpi. Dallimi mes tyre nuk qëndron te përpjekja, virtyti apo qëllimi. Është thjesht ajo që ndodh më pas. Në një rast, xhami thyhet dhe një njeri vdes. Në një tjetër, xhami mbetet i paprekur dhe të dy largohen. Është naive të mendosh se pasojat, ndonjëherë të tmerrshme, nuk kanë lidhje me mënyrën si e gjykojmë një veprim si të mirë apo të keq.

Për Williams-in, jeta jonë morale nuk është e izoluar në një hapësirë të mbrojtur brenda nesh. Ajo është e lidhur me rrethanat, me kohën dhe me ligjet e natyrës. Ideja kantiane se vullneti i mirë është e vetmja gjë që ka rëndësi "pa kufizim" i dukej Williams-it si një lloj fantazie filozofike, një përpjekje për ta bërë moralin të paprekshëm nga rrëmuja e jetës reale.

Të jetosh në një botë të çrregullt

Në buletinin e kësaj jave "Mini Philosophy", intervistova Sebastian Purcell, autor i The Outward Path: The Wisdom of the Aztecs, për filozofinë azteke. Biseda jonë preku shumë tema, dhe "fati moral" doli shpesh. Ajo që bie në sy është se aztekët kishin arritur në një ide shumë të ngjashme me atë të Williams, mijëra kilometra larg dhe shekuj më herët.

Sipas Purcell, në Kodikun e Firences gjendet një fragment që tingëllon pothuajse si Bernard Williams: Një njeri godet një tjetër, ai pengohet dhe gjërat shkojnë keq. Pesha morale e veprimit ndryshon në varësi të asaj që ndodh pasi grushti është dhënë.

Për aztekët, kjo nuk ishte një enigmë për t'u zgjidhur. Ishte thjesht mënyra si funksionon bota. Siç thotë Purcell: "Ndonjëherë bëhemi njerëz të mirë për shkak të fatit. Ndonjëherë bëhemi njerëz të këqij për shkak të fatit. Dhe kjo është një veçori e natyrshme e kozmosit."

Sipas tij, aztekët ishin pesimistë, jo në kuptimin e dëshpërimit, por në kuptimin e sinqeritetit. Ata besonin se "gjërat e mira dhe të këqija ndodhin, por jo në përpjesëtim me sa të mirë apo të këqij janë njerëzit."

Në një fragment që përshkruan Purcell, një baba i flet vajzës së tij. Ai i thotë hapur: Ka dhimbje. Ka dashuri dhe kënaqësi, por ka dhimbje. "Era e ftohtë kalon dhe rrëshqet pranë teje. Nuk mund ta shmangësh."

Filozofët duan t'i kategorizojnë gjërat. Madje, disa do të thoshin se edhe mendja njerëzore e ka këtë prirje. Na pëlqen të krijojmë ndarje dhe etiketime: e mirë dhe e keqe; e virtytshme dhe e ligë; e qëllimshme dhe e paqëllimshme; e kështu me radhë. Por aztekët argumentonin se bota është thjesht kaos. Sado të përpiqemi t'i japim kuptim, ajo i reziston arsyetimit tonë. Ndonjëherë, një gjë është e keqe thjesht për shkak të fatit të keq.

Megjithatë, aztekët nuk ishin fatalistë. Reagimi i tyre ndaj fatit moral nuk ishte të dorëzoheshin dhe të thoshin: "Shpresoj të mbetem i mirë sot!" Përkundrazi, filozofia azteke na nxit të drejtohemi nga të tjerët, te miqtë, familja, komuniteti. Purcell e quan këtë "rruga e jashtme".

Nuk mund ta kontrollosh kaosin e botës duke u mbyllur brenda vetes, siç këshillonin stoikët. Mendja jonë është shumë e brishtë, shumë e paqëndrueshme. Në vend të kësaj, duhet të lidhemi me njerëzit e tjerë. Të krijojmë atë që aztekët e quanin "rrethe vendimmarrjeje". Të gjejmë dikë që na thotë të vërtetën. Të ndërtojmë një jetë që ka kuptim jo sepse është e sigurt, por sepse ndahet me të tjerët.

Kjo nuk do të të mbrojë nga fati i keq. Asgjë nuk do ta bëjë. Por mund të të ndihmojë të jetosh mirë në një botë që është gjithmonë e ekspozuar ndaj tij. /Big Think – Syri.net

ME TE LEXUARAT