Lufta rrit çmimin, por s’ndal konsumin! Në mars, karburantet rekord importi, 2 mijë tonë më shumë se vjet

Soft

Lufta rrit çmimin, por s’ndal konsumin! Në mars, karburantet

Kriza e çmimeve, nuk e ka frenuar furnizimin me karburant dhe shtimin e konsumit të tij pavarësisht se një litër naftë, benzinë apo gaz kushton më shumë se sesa përpara nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt.

Muajin e kaluar janë importuar 56 mijë e 903 tonë karburant, referuar shifrave zyrtare të drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Kjo është sasia më e madhe e importit të karburantit e regjistruar ndonjëherë në muajin mars.

Shifrat tregojnë se pavarësisht luftës, e cila e shtrenjtoi një litër me 30 lekë në muajin mars, konsumi u shtua me gati 2 mijë tonë më shumë se në mars të vitit të kaluar.

IMPORTI I KARBURANTIT NË MARS (në ton)

Viti 2019 49.052
Viti 2020 32.300
Viti 2021 49.728
Viti 2022 41.204
Viti 2023 48.741
Viti 2024 48.702
Viti 2025 54.883
Viti 2026 56.903

Ndërsa si periudhë tremujore, të dhënat e Doganave tregojnë se importi i karburantit ka rënë me 3 mijë tonë. Përgjatë muajve janar-mars janë importuar në total 162 mijë tonë nga 165 mijë tonë vjet në të njëjtën periudhë. Kurse për gjithë 2025-ën, importi i karburantit arriti në 740 mijë tonë karburant me vlerë 667 milionë euro.

IMPORTI I KARBURANTIT (në ton)

Janar-Mars 2025 165.271
Janar-Mars 2026 162.205
Diferenca -3,066

Nafta regjistroi shtrenjtimin më të lartë më 3 prill, duke shkuar në 233 lekë litri, por me uljen e akcizës me 20% nga qeveria, çmimi që u pagua nga konsumatorët ishte 224 lekë. Aktualisht për të përballuar këtë krizë të re që ka përhapur panik në të gjithë botën, në fuqi është edhe bordi i transparencës, ndërsa sektorë të shumtë kërkojnë subvencione direkte.

Transporti publik, ai ndërkombëtar i mallrave por edhe fermerët kërkojnë që qeveria të subvencionojë çmimin e rritur të karburantit, pasi kostot e shtuara të tyre do të përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët.

Institucionet ndërkombëtare dhe ato vendase e konsiderojnë një ‘realitet të ri’ situatën aktuale, mes frikës që çmimet e karburantit, mund të pasohen nga një valë e fortë inflacioni thuajse në çdo produkt apo shërbim tjetër.

ME TE LEXUARAT