“Revolucionarët” e pagave, cilët kanë të drejtë njerëzit e drejtësisë apo ligjvënësit?

Ligjvënësit dyfishuan pagat e tyre si kundërpërgje ndaj inflacionit, por rreth dy vite më parë “harruan” kur ndërmorën reformën e pagave njerëzit e drejtësisë. Gjyqtarë e prokurorë, në pavarësi të plotë e miratuan vetë rritjen me rreth 40 për qind të pagës së tyre, duke krijuar një përplasje të paprecedentë se, kush e kush duhet paguar më tepër nga xhepat e qytetarëve
Ngërçi u krijua teksa Thesari i Shtetit bllokoi pagat e gushtit të sektorit të drejtësisë, pasi u miratua prej rritja që nuk ishte parashikuar në buxhet. Ministria e Financave dhe Thesari i Shtetit bllokuan listën e pagave, duke argumentuar se nuk mund të shpërndajnë fonde pa miratimin e drejtpërdrejtë të Parlamentit.
Avokati i njohur Roland Islami, i kontaktuar nga “MAPO.al” mbi përplasjen e fundit mes tre pushteteve, akzekutiv-legjislativ-gjyqësor, tha se “ngërçi i krijuar për pagat e njerëzve të drejtësisë nuk është thjesht një debat financiar, por lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.”
“Qëndrimi im është i qartë”, - shtoi ai. - “Shteti nuk mund të kërkojë një drejtësi të pavarur, profesionale dhe me integritet, pa garantuar një trajtim financiar dinjitoz për njerëzit që e ushtrojnë atë. Por nderhyrja e Gjykates Kushtetuese nuk më duket e drejtë dhe ligjire”, thotë Islami.
Sipas avokatit, “nëse ekziston një detyrim ligjor apo kushtetues për rishikimin e pagave, ai duhet zbatuar, por jo nga vetë gjykata”.
Cili nuk do të dëshironte rritje page, por a ka një formulë apo zgjidhje ideale sesi bëhet e mundur një gjë e tillë?
Përgjigja është “jo”.
Pagat në përgjithësi përcaktohen dhe rriten nga zhvillimi ekonomik, sipas sektorëve dhe prioriteteve të një vendi, dhe më kryesorja, ato i fikson vetë tregu përmes ofertë-kërkesës.
Në vendet e tjera për përcaktimin e pagave në sektorët e tjerë si referencë shërben paga mesatare kombëtare. Paga mesatare e ligjvënësve dhe njerëzve të drejtësisë është thuajse në të gjitha vendet e BE-së rreth tri herë më e lartë se paga mesatare.
Mbi këtë logjikë, në Shqipëri, as për deputetët dhe as për njerëzit e dejtësisë paga mesatare mujore e tyre nuk duhet të jetë më e lartë se 2.700 Euro (900 euro llogaritet aktualisht paga mesatare kombëtare). Pagat specifike, si në Kroaci, që mund ishte ndoshta modeli më i mirë për t’u ndjekur nga Shqipëria, ashtu edhe në Gjermani, janë reegulluar me ligj dhe përcaktohen nga roli, përgjegjësitë, aftësitë, përvoja, rendimenti, vështirësitë etj. Bonuset apo dietat që shtohen në përgjithësi nuk tejkalojnë 20 për qind të pagës.
Por pse ndodh një përplasje e tillë në Shqipëri, ndryshe nga vendet e e tjera, dhe cila është zgjidhja?
“Nuk mendoj se duhet të tërhiqet njëra palë” shprehet avokati. - “Zgjidhja është një tryezë e menjëhershme institucionale mes përfaqësuesve të drejtësisë, qeverisë dhe Ministrisë së Financave, për të përcaktuar një skemë të qartë, transparente dhe të qëndrueshme pagash, me një afat konkret zbatimi.
Kjo çështje duhet të zgjidhet me dialog dhe jo me përplasje publike. Në fund, një drejtësi e pavarur dhe dinjitoze është në interes të qytetarit dhe të vetë shtetit” - tha avokati Roland Islami.
Pas pandemisë, shpërthimi i luftrave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, nxiti rritjen e inflacionit që i goditi të gjithë, kryesisht fuqinë blerëse. Nisur nga kriza e çmimeve, FMN dhe Banka Botërore sugjeruan rritje më të fortë të pagave për shtresat më të goditura, e më të pamundura të shoqërisë.
Deputetët, të majtë e të djathtë, të pakënaqur nga reforma e pagave që ndërmori qeveria dy vite më parë, e rikthyen për rishqyrtim projektligjin. Ligjvënësit e miratuan draftin vetëm pasi dyfishuan rrogat e tyre me një të rënë të lapsit, pa bërë zhurmë, pa kontestime dhe në harmoni të plotë.
Rritja e pagave ishte parashikuar thuajse për të gjithë kategoritë e administratës publike. Veç sektorit privat ku qeveria nuk mund të ndërhyjë me ligj (veç detyrimit të pagës minimale), ndër sektorët e paktë publikë që u përjashtuan nga rritja e pagave ishte ai i drejtësisë. Argumenti i përdorur nga qeveria ishte se reforma në drejtësi i rriti deri në atë masë pagat për prokurorët, gjyqtarët dhe njerëzit e drejtësisë, sa nuk e pa nevojshme një rritje e dytë në një periudhë të afërt pavarësisht kapriciove të inflacionit.
Njerëzit e drejtësisë, të pakënaqur nga vendimi i ligjvënësve, e bënë vetë gjyqin në një formë aq të pavarur saqë “pavarësia” e tyre ndezi një konflikt me qeverinë dhe parlamentin duke krijuar një ngërç institucional. Pasojat më të mëdha të “revolucionarëve të xhepave” në të tre pushtetet që mbahen nga taksapaguesit për t'iu shërbyer atyre me siguri do të rëndojnë mbi ta.


