“Është natë e veçantë”/ Hoxhë Ahmed Kalaja flet për rrezikun që i kanoset besimtarëve pas Ramazanit

Soft

“Është natë e veçantë”/ Hoxhë Ahmed

Nata e fundit e muajit të Ramazanit përbën një moment të veçantë reflektimi dhe pritjeje për miliona besimtarë myslimanë.

Përtej atmosferës festive, kjo natë mbart një dualizëm ndjenjash, një përzierje mes gëzimit dhe ankthit.

I ftuar në një intervistë në emisionin “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama, teologu dhe imami i njohur, Ahmed Kalaja, ka shpjeguar dimensionin shpirtëror të kësaj nate dhe ka tërhequr vëmendjen mbi një rrezik psikologjik që mund të preket çdo besimtar.

Kalaja theksoi se besimtarët në këtë natë gjenden në një gjendje të dyzuar.

“E ke parasysh kur njeriu bën një punë një muaj, do të marrë shpërblimet,” shpjegoi ai, duke e krahasuar fundin e Ramazanit me momentin kur një punonjës pret shpërblimin për punën e kryer. Nga njëra anë, ekziston gëzimi dhe shpresa se Zoti do t’ua pranojë sakrificën dhe adhurimet njëmujore; nga ana tjetër, ata përballen me një ndjenjë meraku: “A e kemi bërë mirë? A na e ka pranuar Zoti? A e kemi bërë ashtu siç duhet?”.

Kjo ndjenjë meraku, sipas imamit, është thelbësore dhe shërben si një mekanizëm mbrojtës kundër një prej “kurtheve” më të mëdha shpirtërore: vetëpëlqimit. Ai theksoi se pas një muaji sakrificash, si agjërimi, lutjet e natës dhe bamirësia, ekziston rreziku që njeriu të bjerë në eufori dhe t'i duket vetja superior ndaj të tjerëve.

“Është shumë problem kur njeriu fillon dhe i duket vetja më i mirë se të tjerët se ka adhuruar Zotin,” u shpreh Kalaja.

Meraku nëse veprat janë pranuar apo jo, e mban besimtarin të përulur dhe e pengon atë të mendojë se ka kryer diçka të jashtëzakonshme.

Kalaja sqaroi se Ramazani nuk është fundi i rrugëtimit shpirtëror. “Nuk është se e mbyllëm me Zotin, me muajin e Ramazanit edhe i lamë duart. Jeta vazhdon, Zoti po aty është, ne po aty jemi, ne kemi nevojë prapë për Zotin,” shtoi ai.

Ky merak i mban besimtarët të lidhur me realitetin se marrëdhënia me Krijuesin është e vazhdueshme dhe se adhurimi është një detyrë, jo një arritje për t'u mburrur. Kështu, nata e fundit e Ramazanit shërben si një kujtesë e fuqishme se në besim, përulësia është po aq e rëndësishme sa vetë sakrifica.

PJESË NGA BISEDA NË STUDIO

Luan Rama: Zoti Kalaja, është kënaqësi për mua që ju kam sonte në emisionin tim dhe faleminderit që gjetët kohë në gjithë këto angazhime që keni për të qenë i pranishëm.

Ahmed Kalaja: Faleminderit dhe juve për ftesën. Është natë e veçantë faktikisht, po edhe emisioni është i veçantë, kështu që do do ta kalojmë mirë inshallah.

Luan Rama: Në ç'kuptim është natë e veçantë?

Ahmed Kalaja: Është natë e veçantë se, e ke parasysh kur njeriu bën një punë një muaj, do të marri shpërblimet. Kështu që besimtarët në këtë natë, ose në këtë ditë të fundit të Ramazanit, janë si të dyzuar, janë mes asaj, që e kemi bërë mirë, a na e ka pranuar Zoti? A e kemi bërë ashtu siç duhet? Edhe me shpresën e madhe se mëshira e Zotit dhe falja e tij është më dominante, sidomos kur njeriu bën diçka për hatër të tij. Kështu që është natë gëzimi le të themi, po edhe natë kështu meraku, a e kemi bërë ashtu siç duhet apo jo?! Normalisht që dominon tek Zoti, domethënë shpresa, optimizmi dhe mëshira!

Luan Rama: Unë jam i bindur nga përvoja juaj e gjatë në këtë angazhim, bilanci anon nga ana pozitive, domethënë shumica e besimtarëve kanë arsye të ndjehen të kënaqur, të gëzuar për sakrificën që kanë bërë dhe për gjithçka ata ndjejnë në dijen e tyre në raport me detyrimet ndaj vetes, po edhe ndaj Zotit.

Ahmed Kalaja: Kjo pjesa e merakut ka një gjë shumë të mirë, se nuk të lënë që ti të kalosh në eufori, ose të kalosh në vetëpëlqim. Kjo është gjë e mirë. Pra, mos të duket vetja se çfarë ke bërë me fjalë. Ke bërë një detyrë ndaj Zotit, bravo të qoftë edhe jeta vazhdon. Pra, nuk është se e mbyllëm me Zotin, me muajin e Ramazanit edhe i lamë duart. Jeta vazhdon, Zoti po aty është, ne po aty jemi, ne kemi nevojë prapë për Zotin. Kështu që jeta vazhdon domethënë. Pra, është ideja e moskalimit të vetëpëlqimit. Është shumë problem kur njeriu fillon dhe i duket vetja më i mirë se të tjerët se ka adhuruar Zotin.

Luan Rama: Ndodh, gjendet kjo dukuri, shfaqet?

Ahmed Kalaja: Po, normal. Mund të kalojë njëri në vetëpëlqim.

Luan Rama: E lexon sakrificën e bërë si ndonjë gjë të jashtëzakonshme dhe...

Ahmed Kalaja: Sigurisht se çfarë ka bërë. Në kuptimin, ai ka bërë diçka, nuk ka dyshim, sepse nuk është kollaj një muaj ti të shkëputesh nga tradita ditore, nga rutina jote ditore, të kalosh në një traditë tjetër. Natën të rrish duke u falur, duke vajtur në xhami, përkushtimi, ndihma e të varfërve, të gjithë këto, s’ka dyshim që është një lloj, le të themi, sakrificë e goxha. Por prapë se prapë njeriu është mirë që të rrihet dhe kjo pjesa. A e kam bërë vallë ashtu siç duhet? A e kam bërë me të vërtetë për të kënaqur Zotin, apo ka pasur ndonjë interes tjetër aty drejti? Të gjitha këto shihen./ORA

ME TE LEXUARAT