Studimi në Spanjë: Luspat e peshkut, një zgjidhje e re për riparimin e kornesë së syrit

Soft

Studimi në Spanjë: Luspat e peshkut, një zgjidhje e re për

Shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë të re për trajtimin e dëmtimeve të kornesë së syrit, duke përdorur një material të pazakontë, luspat e peshkut. Studiuesit nga Universiteti i Granadës në Spanjë kanë zhvilluar implante të kornesë nga luspat e peshkut, me rezultate premtuese në laborator dhe në testet me kafshë.

Ekipi i kërkimit analizoi luspat e krapit dhe peshqve të tjerë të konsumit, duke arritur të krijojë një biomaterial transparent, të qëndrueshëm dhe të përputhshëm me indet e trupit, i cili mund të përdoret për riparimin e kornesë së dëmtuar.

Kornea është shtresa transparente në pjesën e përparme të syrit dhe, kur dëmtohet rëndë, shpesh trajtimi i vetëm është transplanti. Por mungesa e indeve donatore bën që shumë pacientë të presin për një kohë të gjatë për operacion.

Studiuesit thonë se është e rëndësishme të zhvillohen metoda të reja për rigjenerimin e kornesë që nuk varen nga donacionet e organeve. Përveç përfitimeve mjekësore, ata theksojnë edhe një avantazh tjetër pasi luspat e peshkut janë të lira dhe të lehta për t’u siguruar, sepse zakonisht hidhen si mbetje nga industria e peshkimit.

Megjithatë, para se kjo metodë të përdoret te njerëzit, nevojiten teste klinike të mëtejshme, një proces që mund të zgjasë disa vite. Ekspertët thonë se ky zbulim mund të hapë rrugë të reja për trajtimin e sëmundjeve të syrit dhe për reduktimin e varësisë nga transplantet./ORA

ME TE LEXUARAT