Detaji që nuk i shpëtoi kamerave/ Pse Pedro Neto e kishte të çarë atleten gjatë sfidës Portugali-Spanjë?

Një detaj i pazakontë gjatë ndeshjes së 1/8-ave të finales së Kupës së Botës 2026 mes Portugalisë dhe Spanjës ka tërhequr vëmendjen e tifozëve në mbarë botën.
Kamerat fokusuan disa herë sulmuesin e Portugalisë, Pedro Neto, i cili luante me këpucën e djathtë të shpuar në pjesën e thembrës.
Pamjet u bënë menjëherë virale në rrjetet sociale, ndërsa shumë tifozë menduan se bëhej fjalë për një dëmtim të shkaktuar gjatë lojës ose për një defekt në pajisje. Megjithatë, arsyeja është krejtësisht tjetër dhe lidhet me një problem shëndetësor.
Edhe kur magazinieri i kombëtares portugeze i solli një palë këpucë të tjera gjatë ndeshjes, ato ishin modifikuar në të njëjtin vend, duke konfirmuar se vrima ishte bërë qëllimisht.
Sipas raportimeve, Neto vuan nga sindroma Haglund, një gjendje që prek pjesën e pasme të thembrës. Kjo patologji shkakton një dalje të kockës pranë tendinit të Akilit, e cila fërkohet vazhdimisht me pjesën e fortë të këpucës, duke shkaktuar dhimbje dhe inflamacion.
Për futbollistët profesionistë, që përdorin këpucë shumë të ngushta, presioni në atë zonë mund të bëhet i padurueshëm. Pikërisht për këtë arsye krijohet një hapje në pjesën e pasme të këpucës, duke eliminuar fërkimin dhe duke i lejuar lojtarit të lëvizë pa dhimbje.
Kjo nuk është hera e parë që një futbollist përballet me këtë problem. Në të kaluarën, edhe emra të njohur si Mats Hummels dhe Eljif Elmas kanë vuajtur nga e njëjta sindromë.
Trajtimi fillestar zakonisht përfshin përdorimin e këpucëve të modifikuara, shtrojave speciale, fizioterapisë dhe medikamenteve kundër inflamacionit.
Zgjidhja përfundimtare mbetet ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e daljes së kockës, por për shkak të kohës së gjatë të rikuperimit, shumë futbollistë zgjedhin ta shtyjnë operacionin dhe të vazhdojnë të luajnë me këpucë të përshtatura si në rastin e Pedro Netos.


