“Po luajmë kundër genocidit”! Trajneri i Irlandës, Hallgrimsson ‘ndez’ përplasjen para Izraelit

Trajneri i Republikës së Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka ndezur një debat të fortë politik dhe sportiv në prag të përballjes me Izraelin në UEFA Nations League.
Irlanda do të përballet me Izraelin më 27 shtator në Debrecen të Hungarisë, në një ndeshje të zhvendosur në fushë neutrale dhe që do të zhvillohet pa tifozë. Përballja e kthimit është programuar më 4 tetor në Serbi.
Gjatë konferencës pas publikimit të skuadrës, Hallgrimsson pranoi se ai dhe lojtarët e tij nuk ndihen rehat me këto ndeshje. I pyetur se si skuadra mund të përqendrohet te futbolli mes thirrjeve për bojkot, trajneri islandez deklaroi:
“Ne nuk po luajmë me genocidin, po luajmë kundër gjenocidit. Po luajmë kundër Izraelit, nuk po luajmë me Izraelin.”
Deklarata shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga Federata Izraelite e Futbollit, e cila e akuzoi trajnerin irlandez për “budallallëk, injorancë dhe hipokrizi”. Në reagimin e saj, federata izraelite theksoi gjithashtu kontributet që, sipas saj, Izraeli i ka dhënë botës dhe njerëzimit, duke përmendur edhe çmimet Nobel.
Polemika vjen në një klimë të tensionuar në Irlandë. Mbi 160 sportistë irlandezë kanë firmosur një letër të hapur ku i bëjnë thirrje kombëtares të mos luajë ndaj Izraelit, ndërsa protestues janë mbledhur edhe jashtë hotelit të ekipit në Dublin me thirrje për bojkot.
Megjithatë, Federata Irlandeze e Futbollit (FAI) ka konfirmuar se ndeshjet do të zhvillohen. FAI ka argumentuar se një tërheqje do të sillte pasoja sportive dhe financiare për futbollin irlandez, ndërsa UEFA ka bërë të ditur se përballjet janë zhvendosur për arsye sigurie.
Debati tashmë ka kaluar përtej fushës së futbollit, duke e kthyer sfidën Irlandë–Izrael në një prej ndeshjeve më të diskutueshme të këtij edicioni të Nations League.


