Belgjika bën rezymenë e operacioneve të dala nga SkyECC: Droga në Amerikën Latine kontrollohej nga shqiptarët dhe…

Aktualitet

Belgjika bën rezymenë e operacioneve të dala nga SkyECC: Droga

Autoritetet belge kanë publikuar një përmbledhje të operacioneve të zhvilluara gjatë pesë viteve të fundit në bazë të përgjimeve të shërbimit të mesazheve të koduara SkyECC, duke zbuluar ndikimin e madh të rrjeteve kriminale ndërkombëtare, përfshirë një prezencë të konsiderueshme shqiptare.

Sipas raportit, një e treta e mesazheve të koduara ishin në gjuhën shqipe, gjuha amtare e 578 të dyshuarve, gjë që tregoi dominimin e kartelëve të drogës nga Ballkani në Belgjikë. Bashkëpunimi mes autoriteteve belge dhe zyrës së prokurorit publik shqiptar ka ndihmuar në zgjidhjen e 15 vrasjeve dhe 15 tentativave për vrasje në Shqipëri, ndërsa të dhëna janë ndarë gjithashtu me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Hetimi tregoi se transfertat e drogës drejt Belgjikës dhe Amerikës së Jugut kontrolloheshin nga pajisje në vende të largëta si Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia, Maroku dhe Shqipëria, duke i lejuar kriminelët të operonin nga distanca pa rrezikuar kontaktin direkt me drogën.

Në total, mbi 1,200 persona janë dënuar në Belgjikë për trafik droge, dhunë, pastrim parash dhe vepra të tjera penale, ndërsa më shumë se një miliard mesazhe u përdorën në hetimet gjyqësore. Analiza e këtyre mesazheve çoi në hapjen e 470 rasteve kundër kriminelëve dhe identifikimin e gati 5,000 të dyshuarve të mundshëm, ndërsa mbi 224 milionë euro u sekuestruan dhe u dhanë dënime që përfshijnë 3,684 vjet burg.

Rrjeti ndërkombëtar i drogës kërkoi bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar, dhe policia belge dërgoi oficerë ndërlidhës në Kolumbi, Brazil, Turqi, Marok, Itali dhe Shqipëri, ndërkohë që Emiratet e Bashkuara Arabe ekstraduan 13 të dyshuar në Belgjikë, përfshirë bosin holandez të drogës Flor Bressers dhe baronin nga Antëerp, Othman El Ballouti.

Ky operacion konsiderohet më i madhi policor në historinë e Belgjikës dhe ka shkatërruar një pjesë të madhe të rrjeteve kriminale që vepronin në Ballkan dhe më gjerë./Shqip

ME TE LEXUARAT