Bashkia e Kurbinit e lë në harresë, 70-vjeçarja mbetet pa shtëpi 6 vite pas tërmetit

“Si kam vuajtur këto gjashtë vitet e tërmetit, mos i harrofsha”, thotë Luljeta Prela, 70 vjeçe, nga fshati Drojë në Kurbin.
Banesa e saj u shpall e pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Fillimisht ajo jetoi në çadër, më pas në kontenier, së bashku me familjen. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe humbi bashkëshortin dhe djemtë emigruan për shkak të kushteve të vështira.
Rreth tre vite më parë nisi ndërtimi i shtëpisë së re nga fondet e rindërtimit, por objekti mbeti i papërfunduar.
Sipas Luljetës, punimet u ndërprenë para vendosjes së tjegullave, ndërsa djali i saj kishte investuar rreth 1.5–2 milionë lekë për përforcimin e çatisë.
Nga ana tjetër, Bashkia Kurbin thotë se vonesat kanë ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi cilësinë e materialeve me 70-vjeçaren.
Mirëpo ajo e mohon një gjë të tillë dhe, pas përballjes së “Piranjave” me bashkinë dhe firmën e kontraktuar për rindërtimin, punimet në çati kanë rifilluar, ndërsa firma premton përfundimin e banesës brenda pak muajsh.
Deri atëherë, Luljeta vijon të jetojë mes kontenierit dhe një dhome me lagështirë në shtëpinë e vjetër./piranjat


