2 fëmijë të vdekur dhe 1 në gjendje të rëndë në Durrës, si e shkaktoi tragjedinë problematiku i lagjes

Aktualitet

2 fëmijë të vdekur dhe 1 në gjendje të rëndë

Ngjarja e rëndë që ndodhi sot në lagjen 15 të Durrësit duket se ishte e paralajmëruar. Por gjithsesi nuk mund të thuhet se ata fëmijë ndodhedhin në vendin e gabuar, në momentin e gabuar.

Sepse në qetësinë e një orari dreke të një të diele, ata nuk po bënin asgjë më tepër se sa supozohet të bëjnë disa fëmijë. Po luanin me letra në trotuar pa i prishur punë askujt.

Banorët e lagjes, ende me fytyrat e hequra nga tmerri i asaj që kishte ndodhur, e akuzuan 57-vjeçarin Nikoll Radaçi si një problematik në zonë, i cili edhe herë të tjera kishte ecur me shpejtësi apo dhe me muzikë të lartë që në pikë të mëngjesit.

Sot, ai shkaktoi një dramë të madhe, nga e cila duket se zona e Spitallës në Durrës nuk do ta marrë veten për një kohë të gjatë. Rreth orës 14:00 të mesditës, i dehur me Mercedes Benz ML-në e tij, humb kontrollin e automjetit, duke kaluar mbi trupat e 3 fëmijëve 10-vjeçarë. Pranë tyre ishte dhe një i katërt, i cili arriti të shmanget në kohë.

Dy prej fëmijëve ndërruan jetë, ndërsa i treti ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë. Pamje të rënda u publikuan nga lokali, përpara të cilit ndodhi aksidenti. Personat që ishin brenda dolën me vrap për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe për t`i shkuar në ndihmë fëmijëve, përpara se habisë vendin t`ia zinin ulërimat në lot të nënave të fëmijëve.

Autori, Nikoll Radaçi, braktisi menjëherë automjetin pas tragjedisë që shkaktoi, por uniformat blu arritën ta vënë në pranga pak minuta më vonë.

Sipas raportimeve, ngjarja rëndohet më shumë për një prej fëmijëve, i cili nuk i kishte prindërit në Shqipëri për shkak se kishte të atin të sëmurë në Itali.

“Shteti është për të vënë gjobat. Patrullat vënë gjoba në autostrada, nuk vijnë këtu të kontrollojnë lagjet. Kush i kthen më këta? Shteti gjobit kur nuk është për të gjobitur, jo ata që janë në faj. Duke luajtur letra në trotuar ishin”, u shpreh një nga dëshmitarët.

“Ishin fëmijët e lagjes sonë. Shoferi iku me vrap. Unë s’kam parë në jetën time kështu. Tre fëmijë”, tregon një tjetër.

“Nuk ka më keq se kaq. Tragjedi e madhe. Shteti duhet të marrë masa menjëherë. Ne të gjithë natën rrimë pa gjumë. Këtë gjë e ka bërë gjithmonë ky shoferi”, tha një banori i zonës.

“Asnjë nuk ka ardhur në këtë zonë. Asnjë nuk na e hap telefonin. Edhe video i kemi çuar. Kur marrim policinë e zonës, ata thonë “merr një tjetër”. Ka qenë problematik. I kemi thënë gjithmonë “mos, mos””, tha një banori i lagjes.

ME TE LEXUARAT