Arrestohen katër efektivë të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër, akuzohen për shpërdorim detyre (EMRAT)

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtoria Rajonale Shkodër-Lezhë, ka arrestuar në flagrancë katër punonjës të Policisë së Shtetit, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Hetimet nisën pasi u konstatua se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, nuk ndodhej në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje.
Pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët e AMP-së, u arrestuan punonjësit e Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër:
* Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
* Inspektor Gentian Xhanari;
* Inspektor Dioniz Hotaj;
* Punonjësit Ridvan Zefi,
me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër
Sipas AMP-së, katër efektivët dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me mbikëqyrjen e personit që ndodhej në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, ndaj shtetasit Hasan Verracaku rëndon dyshimi për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka shkelur kushtet e masës së sigurisë të vendosur nga gjykata.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.


