Arlind Qori nga ‘Lëvizja Bashkë’ shpall kandidaturën për kryetar bashkie në Tiranë
Lëvizja BASHKË ka zyrtarizuar Arlind Qorin si kandidatin e saj për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më 9 nëntor 2025.
Në një deklaratë publike, kjo forcë politike e konsideron Qorin si një zë alternativ për qytetin, një profil që bashkon eksperiencën si arsimtar dhe aktivist, me më shumë se një dekadë angazhim në kauza që prekin jetën urbane dhe të drejtat sociale të qytetarëve.
“Zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen,” thuhet në njoftim.
Sipas Lëvizjes BASHKË, këto zgjedhje nuk janë thjesht një proces lokal, por një betejë idesh që synon të rezonojë përtej Tiranës, duke sjellë në fokus një mënyrë të re të të bërit politikë dhe qeverisjeje në nivel vendor.
“Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës,”, thekson më tej deklarata.
Deklarata
Arlind Qori, ALTERNATIVA E VËRTETË PËR TIRANËN
Propozimi i Lëvizjes BASHKË për mbarë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit është emri i kryetarit të saj, Arlind Qori, zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur çdo ditë mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen etj.
Për ne, zgjedhjet në Tiranë nuk janë thjesht një mundësi për ta shndërruar qytetin sipas nevojave dhe aspiratave të qytetarëve, por edhe një betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë.
Prandaj Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës.
Me besim te qytetarët dhe përkushtimi i gjithkujt që do të na bashkohet në këtë fushatë, dalshim faqebardhë!