Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri reperi Kleviol Ahmeti
Ditën e nesërme pritet të ekstradohet nga Dubai në Shqipëri reperi Kleviol Ahmeti, i njohur me pseudonimin "Cllevio".
Kleviol Ahmeti është arrestar rreth 3 muaj më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas burimeve pranë artistit, ai ka nënshkruar për ekstradim dhe pritet të kthehet në Shqipëri më 8 tetor për t’u përballur me akuza që i quan të motivuara nga kundërshtarët e tij. Ekstradimi do të kryhet nga Interpol.
Reperi akuzohet për disa vepra penale, ku ndaj tij rëndojnë disa akuza.
Kleviol Ahmeti akuzohet si porositës i djegies së automjetit luksoze të personazhit të njohur të ‘TikTok’-ut, Kozak Braçit.
Policia ka arrestuar si autorë të ngjarjes shtetasit D. L., 40 vjeç, dhe M. L., 18 vjeç, të dy nga Vlora, ku sipas autoriteve, ata janë paguar 1500 euro nga Kleviol Ahmeti për t’i vënë zjarrin makinës së Kozak Braçit, në orët e para të 2 Dhjetorit të vitit 2023 në zonën e Alliasit në kryeqytet.
Kujtojmë se vite më parë, pas një konflikti mes dy reperëve Rigels Rajku dhe Kleviol Ahmeti, ky i fundit i kërkoi mikut të tij Laert Haxhiu që të vendoste tritol në butikun e Noizyt në Durrës, sepse ai e kishte rrahur.
Lënda plasëse shkatërroi pjesën ballore të butikut të njohur "Illyrian" në qytetin bregdetar dhe rasti u bë shumë mediatik, për shkak se në rrjetet sociale nisi një luftë e ashpër mes Kleviol Ahmetit që njihet me pseudonimin Cllevio Serbiano dhe Rigels Rajkut, apo Noizy.
Dy vite më pas, ngjarja është dokumentuar si episod kriminal në dosjen e SPAK dhe organi i akuzës i është dërguar me kërkesë Gjykatës së Posaçme, për dënimin e personave përgjegjës, në grupin e Laert Haxhiut.
“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bashkim Rajku e Rigels Rajku (Noizy), ngjarje e ndodhur më datë 08.06.2022, në Durrës", thuhet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.