Partia Socialiste zbulon kandidatët për bashkitë e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Tepelenës dhe Matit
Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Partisë Socialiste, janë konfirmuar të gjithë kandidatët e mazhorancës për zgjedhjet e pjesshme vendore, që do të mbahen në 9 nëntor në 6 bashki të vendit.
E para që u konfirmua rreth një muaj më parë është Ogerta Manastirliu në bashkinë Tiranë, e cila u përzgjodh nga kryeministri dhe kreu i PS Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të partisë.
Ndërkaq, ditën e sotme janë konfirmuar edhe emrat e tjerë që u përzgjodhën nga Kryesia për të garuar.
Në bashkinë e Tepelenës kandidati i përzgjedhur është Gramoz Sako, i njoftuar nga ministrja Mirela Kumbaro.
Nga ana tjetër, në bashkinë e Vlorës nën siglën e PS do të garojë deputetja aktuale socialiste Brunilda Mersini, emri i së cilës u njoftua nga Bledi Çuçi.
Kandidati për bashkinë e Beratit u përzgjodh Ervin Ceca, i cili për momentin mban detyrën e kryetarit të komanduar të institucionit, pas largimit të Ervin Demos, i cili bëri edhe njoftimin e emrit.
Ndërkaq, Florenc Doka do të jetë kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme vendore në bashkinë e Cërrikut, emër i njoftuar nga Arbjan Mazniku.
Në Mat, Partia Socialiste do të garojë me Altin Bojnin, i cili ishte përfolur edhe më herët si kandidati i mundshëm, ndërsa emri i tij u njoftua nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.