Macron më i vetmuar se kurrë. Besniku më i ngushtë: Nuk e kuptoj më
Nga Stefano Montefiori, Corriere della Sera
Presidenti Emmanuel Macron ndodhet sot më i vetmuar se kurrë.
Kriza politike që nisi me shpërndarjen e papritur të Asamblesë Kombëtare më 9 qershor 2024, duket se nuk ka gjetur zgjidhje dhe përkundrazi, ka thelluar ‘ndarjen’ mes presidentit dhe edhe aleatëve të tij më të afërt.
Gabriel Attal, ish-kryeministri dhe një nga figurat më besnike të Macronit, e shpreh hapur hutimin dhe zhgënjimin. “Nuk e kuptoj më”, thotë ai.
Attal, tani drejtues i partisë presidenciale Renaissance, përfaqëson një brez të tërë politikanësh të cilët besuan në “macronizëm”, por tani janë pranë një disfate të rëndë zgjedhore.
Imazhi i fundit që ka qarkulluar – Macron duke ecur i vetëm në Ile de la Cité – është simbolike për gjendjen aktuale të presidentit: i izoluar në vendin e tij, ndërsa jashtë kufijve ruan ende njëfarë ndikimi diplomatik. Por brenda Francës, ai perceptohet si i shkëputur nga realiteti dhe nga gjendja e popullit.
Vendimet e tij të fundit kanë shkaktuar vetëm më shumë paqartësi: emërimi si kryeministër i disa figurave të vjetra si Michel Barnier dhe François Bayrou, dhe më pas i Sébastien Lecornu, një nga besnikët e fundit të vërtetë, por me një problem të madh – është ende i lidhur me emrin e Macronit, i cili sot është bërë i papranueshëm për shumicën e klasës politike dhe qytetarëve.
Shtesa më e fundit në këtë listë emrash është Bruno Le Maire, ish-ministri i Financave për 7 vite rresht, i kthyer papritmas nga Lozana, ku kishte nisur të jepte mësim. Por pikërisht financat janë problemi më urgjent i Francës sot – një sektor në krizë, dhe rikthimi i Le Maire shihet si provokim më shumë se zgjidhje.
Kaosi vazhdoi me një “teatër” tjetër politik: Macron pranon dorëheqjen e Lecornu, por më pas e tërheq sërish duke i kërkuar një “përpjekje të fundit”, për të ndërtuar një shumicë qeverisëse.
Ndërkohë, opozita po rrit presionin:
Marine Le Pen (e djathta ekstreme) tha se farsa duhet të marrë fund. “Kjo farsë duhet të marrë fund. Macron ose duhet të japë dorëheqje, ose të shpërndajë sërish Asamblenë. Francezët janë lodhur”, tha ajo.
Jean-Luc Mélenchon (e majta radikale): Tallet me kabinetin si “korte zombie” dhe kërkon menjëherë largimin e Macronit, duke përgatitur një mocion për shkarkimin e tij që do diskutohet të mërkurën.
David Lisnard (gaullist): Propozon që Macron të shqyrtojë “dorëheqjen e planifikuar”.
Socialistët, nën drejtimin e Olivier Faure, propozojnë një rrugë tjetër: një qeveri të majtë pa Mélenchon, por me ekologjistët dhe komunistët. Por mbijetesa e një qeverie të tillë duket e pamundur përballë mocioneve të shumta të mosbesimit, që janë paralajmëruar.
Nëse Lecornu nuk arrin të krijojë një shumicë brenda 48 orësh – gjë që nuk ia ka dalë për 27 ditë – atëherë Macron, sipas Elizesë, “do të marrë përgjegjësitë e tij”.
Kjo do të thotë, ndoshta, thirrje për zgjedhje të reja të parakohshme. Por rreziku i një fitoreje të pjesshme nga partia e Le Pen është real – dhe asnjë shumicë tjetër nuk duket në horizont.
Franca përballet me një bllokim të rrezikshëm politik, që mund të zgjasë dhe thellohet. Dhe në qendër të kësaj stuhie qëndron një president i vetëm, i papërkrahur, i pakuptueshëm edhe për miqtë e tij më të afërt.