Avokati i njohur denoncon Raiffeisen Bank: Më zbrazi llogarinë dhe më nxori debitor me mbi 1 mln lekë. ATM-të jashtë funksionit!

Avokati i njohur Romeo Kara ka denoncuar publikisht një situatë që ai e cilëson skandaloze me llogarinë e tij bankare në Raiffeisen Bank. Sipas tij, banka i ka zbrazur plotësisht llogarinë e pagës dhe më pas e ka nxjerrë atë debitor me mbi 1 milion lekë.
Kara shprehet se, pasi ka kontaktuar disa herë me bankën për të kërkuar shpjegime, i është thënë vetëm se bëhet fjalë për një problem me sistemin, pa marrë një sqarim të qartë se kur dhe si do të zgjidhet situata.
“Luan mendsh totalisht Raiffeisen Bank. Mbasi të zbras tërësisht llogarinë e pagës, të nxjerr edhe debitor mbi 1 milion lekë,” shprehet ai në reagimin e tij.
Sipas avokatit, një tjetër element shqetësues është se banka ka dërguar edhe njoftime për tërheqje të mëdha parash nga bankomati, të cilat ai pretendon se nuk i ka kryer.
“Ajo që është më e papranueshmja: banka dërgon mesazhe sikur kemi bërë tërheqje në shuma të mëdha parash nga ATM, në të cilat nuk kemi bërë tërheqje,” thekson Kara.
Ai kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zgjidhje të situatës, duke ngritur shqetësime për sigurinë e llogarive bankare dhe funksionimin e sistemit.
Reagimi i Romeo Kara
Luan mendsh totalisht Raiffeisen Bank.
Mbasi te zbras teresisht llogarine e pages, te nxjerr edhe debitor mbi 1 milione leke.
Pasi i merr 10 here ne telefon, te thone qe ka problem sistemi, por nuk jane te gjendje te te thone se kur dhe si do zgjidhet kjo situate.
Ajo qe eshte me e papranueshmja: banka dergon mesazhe sikur kemi bere terheqje ne shuma te medha parash nga ATM, ne te cilat nuk kemi bere terheqje.



