Banorët dhe kryebashkiaku braktisën sallën / Poliçani “kryqëzon” Ramën: Do t’u bashkohemi protestave në Tiranë

Aktualitet

Banorët dhe kryebashkiaku braktisën sallën / Poliçani

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me takimin e kryeministrit Rama dhe me qytetarët në Berat ku u shoqërua me tensione dhe përplasje të shumta, gjatë diskutimeve për Reformën Territoriale.

Në takim morën pjesë edhe një përfaqësi qytetarësh nga Poliçani, ku gjatë fjalës së mbajtur nga ministri Ervin Demo ata u ngritën për të diskutuar, ndërsa mësohet se kryeministri iu ka ndërprerë fjalën me tone të ashpra.

Ndërhyrja e kryeministrit shkaktoi irritim te banorët e Poliçanit dhe te kryebashkiaku Adriatik Zotkaj, të cilët debatuan ashpër mes tyre.

“Që kur u vendos Reforma Territoriale po nis shpopullimi në Poliçan, çdo ditë kemi kërkesa për shpërngulje. Nëse kryeministri vijon me arrogancë, ne do të shkojmë në Tiranë e do t’i bashkohemi protestës së madhe”, është shprehur një nga këshilltarët.

Në debat me kryeministrin u përfshi edhe aktorja me origjinë nga Poliçani, Egla Ceno, e cila ndan detaje nga takimi.

“Ishim një grup përfaqësues nga Poliçani në Berat për Reformën Territoriale. Poliçani është qytet që shpesh e ka shprehur mendimin e tij nëpërmjet qytetarëve.

Në mbledhje ministri Demo hapi takimin dhe u dha fjalën qytetarëve, folën dy prej tyre. Kur kërkuam xhiron e mikrofonit, ndërhyri kryeministri dhe tha nuk jemi këtu të kuptojmë sa mirë jetohet në Poliçan, dhe nisi një fjalim që nuk e di sa zgjati.

Askush nuk u lejua në flasë. Pas rreth 20 minutash, kur ai mbaroi, i thash nëse mund të flisnim e të na dëgjonte më tha të dal jashtë. Iu përgjigja që mund të dilja, por u thirrëm sepse na u tha që kryeministri do të na dëgjonte.

Nuk pranova të më drejtohej ashtu, por ai u çua në këmbë dhe tha se mbledhja ndërpritej deri në daljen time nga salla. Në këtë moment komuniteti mu bashkua dhe dolëm të gjithë jashtë”, është shprehur ajo.

Pas përplasjeve me Ramën dhe Demon, përfaqësia e ardhur nga Poliçani, së bashku me kryebashkiakun Zotkaj braktisën sallën, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ky i fundit kundërshton zhbërjen e institucionit që drejton që prej vitit 2003.

ME TE LEXUARAT