Banorët e Fushë-Bulqizës protestë kundër ndërtimit të HEC-it ‘Shytaj’ nga ish-gjyqtari! Hyjnë me forcë në Bashki

Dhjetëra banorë të katër fshatrave të Fushë-Bulqizës protestuan këtë të premte para Bashkisë së Bulqizës kundër ndërtimit të HEC-it “Shytaj”. Protestuesit hynë me forcë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku ishte parashikuar të shqyrtohej projektvendimi për heqjen nga fondi pyjor të sipërfaqes ku do të kalojë tubacioni i hidrocentralit.
Mbledhja u shty për javën e ardhshme, ndërsa banorët u pritën nga kryetarja e bashkisë, Festime Mjeshtri, pa praninë e mediave. Pas takimit, ata deklaruan se morën premtim për mbështetje.
Po bëjmë protestë se po na marrin malin dhe ujin. Kemi pesë vjet me këtë punë”, tha një banore.
Po ashtu, banorët depozituan një peticion me rreth 350 firma, ku kërkojnë ndalimin e çdo vendimmarrjeje për hidrocentralin pa konsultim publik. Sipas tyre, deri tani nuk është zhvilluar asnjë dëgjesë me komunitetin dhe dokumentacioni teknik apo mjedisor nuk u është vënë në dispozicion.
“Ne jemi më shumë se tre fshatra që prekemi nga ndërtimi i HEC-it”, tha një tjetër.
Banorët theksojnë se projekti prek burimet ujore, tokat bujqësore, pyjet dhe ekosistemin e zonës. Ata kërkojnë që çdo vendim të merret vetëm pas publikimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe pas zhvillimit të dëgjesave publike në fshatrat e prekura.
“Ne atje kemi tokat dhe pasuritë e paraardhësve tanë. Mesa mundësi që kemi nuk do ta lejojmë ndërtimin e HEC-it”. “Nuk do ta lejojmë, sikur kanë luftuar baballarët tanë për Shqipërinë”, theksuan banorët e tjerë.
Projekti hidroenergjetik “HEC Shytaj” parashikon ndërtimin e një hidrocentrali mbi përroin e Hetmit, degë e Zallit të Bulqizës. Leja për ndërtimin e hidrocentralit është dhënë rreth 7 vite më parë nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Kundërshtimi i komunitetit nuk është i ri. Edhe në vitin 2019 banorët bllokuan mbledhjet e Këshillit Bashkiak, duke mos lejuar shqyrtimin e procedurave për heqjen e sipërfaqes nga fondi pyjor dhe kullosor.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “ERIM” sh.p.k. është në pronësi të familjes Shyti. Aksionari kryesor është Adhurim Shyti me 49% të kapitalit, i ndjekur nga Ervin Shyti me 40% dhe Arbër Shyti me 11%.
Ervin Shyti është djali i ish-gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Bari Shyti, i cili u shkarkua nga sistemi i drejtësisë në vitin 2021 pas procesit të vetingut për probleme me deklarimin e pasurisë. Vendimi u la në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit./Shqiptarja


