FOTO/ Debati televiziv degradon në akte dhune mes vetë banorëve të Rrjollit. Sulmohet makina e ...

Banorët e fshatit Rrjoll po kundërshtojnë prej më shumë se një muaji ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo”, që po zhvillohet nga kompania Gener 2 dhe duket se tashmë konflikti ka përfshirë dhe ata vetë.
Shkak është bërë përballja e djeshme në studion e emisionit “Opinion”, ku ata thonë se toka është e tyre, nuk është kompensuar si duhet dhe dokumentet e pronësisë janë kontestuar për falsifikim, duke krijuar një konflikt pronësie me firmën ndërtuese.
Pronari aktual i tokës, Fatmir Shpellzaj, përballë disa banorëve të tjerë të zonës, në emisionin “Opinion”, akuzoi dje se kanë hequr varret. Për këtë arsye, Shpellzaj shprehet se ka pasur një roje në zonë për të mos pasur dëmtime të mëtejshme, teksa shton se ka qenë aty edhe stër-stër-gjyshi i tij.
Banori tjetër i Rrjollit, Prek Molla, akuzoi për falsifikim të dokumenteve nga ana e Shpellzajt. Ky i fundit shprehet se Molla është një ndër ata banorë që sa herë ekziston mundësia e ndonjë investimi në zonë, ai deklaron që është prona e tij. Për të përforcuar akuzën e zhvarrimeve, Shpellzaj shprehet se ka bërë 5 herë denoncim, por asnjëherë nuk ka pasur masa për fenomenin.
Por debatet nuk janë mbyllur me kaq, pasi pas emisionit sherri ka vijuar në ambientet e tv Klan ku konflikti ka degjeneruar në akte dhune.
Makina e Prekë Mollës është dëmtuar dhe ky i fundit shprehet se djali i Fatmir Shpellzaj dhe ata që e shoqëronin ia kanë dëmtuar makinën.

LIDHUR ME KËTË NGJARJA ATA KANË DALË NË NJË DEKLARATË PUBLIKE
Banorët e zonës së Rrjollit, përmes përfaqësuesit të tyre Prekë Molla, reagojnë lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar gjatë dhe pas daljes së tij publike në një ekran televiziv.
Sipas deklarimit të Prekë Molla, konflikti ka nisur pasi djali i Fatmir Shpellzaj e ka provokuar fillimisht duke e ndeshur me sup, çka më pas ka sjellë një përplasje verbale mes tyre. Gjatë debatit, djali i Shpellzajt është shprehur se kishte ardhur i përgatitur.
Z. Prekë Molla deklaron gjithashtu se djali i z. Shpellzaj ka qenë i shoqëruar nga rreth 10–15 persona, të cilët sipas tij kanë qenë të armatosur dhe të pajisur edhe me shkopinj bejzbolli. Sipas tij, ata kishin ardhur me qëllimin për t’i marrë dokumentet, pasi kishin menduar se ai ndodhej vetëm. Ai shprehet se është tërhequr zvarrë nga disa prej tyre në përpjekje për t’i marrë dokumentet, por pavarësisht kësaj ata nuk kanë arritur ta realizojnë këtë qëllim.
Pas përshkallëzimit të situatës janë përfshirë edhe banorë të tjerë të Rrjollit, disa prej të cilëve kanë pësuar lëndime dhe kanë përfunduar për trajtim në spital.
Banorët e Rrjollit i janë drejtuar menjëherë organeve të policisë, ku kanë dhënë edhe deklaratat e tyre lidhur me ngjarjen.
Përfaqësuesi i banorëve, Prekë Molla, shprehet se banorët janë ndjerë të provokuar nga djali i z. Fatmir Shpellzaj dhe se gjatë konfliktit nuk kanë munguar edhe kërcënimet nga ana e tij. Banorët kërkojnë që organet kompetente të hetojnë plotësisht ngjarjen dhe të vendosin përgjegjësitë përkatëse.


