“Bënte çdo ditë 8 km në këmbë”/Mësuesi Alban Bejleri ndërroi jetë teksa kthehej nga puna, reagojnë familjarë dhe kolegë

Një mësues me përvojë të gjatë në arsim ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak ditën e djeshme (16 prill), teksa kthehej për në shtëpi, pas përfundimit të detyrës së tij në fshatin e largët Marjan, në bashkinë e Maliqit, qarku Korçë.
Alban Bejleri, 52-vjeç, i cili kishte rreth tre dekada eksperiencë në arsim, prej pesë vitesh jepte mësim në këtë zonë të thellë.
Çdo ditë ai përshkonte në këmbë rreth 7 deri në 8 kilometra për të arritur në shkollë, ku zhvillonte procesin mësimor për vetëm dy nxënës.
Sipas familjarëve, Bejleri ishte një njeri i përkushtuar ndaj profesionit, që nuk shprehte asnjëherë ankesa për vështirësitë që haste. Ata kanë reaguar me dhimbje dhe indinjatë pas ngjarjes, duke ngritur shqetësime për kushtet në të cilat ai detyrohej të punonte.
Besim Bejleri, xhaxhai i arsimtarit rrëfeu sakrificat e nipit për profesionin.
Edhe kolegët e tij e kujtojnë si një mësues shembullor, i cili përballej çdo ditë me sfida të mëdha, si infrastruktura e dobët dhe lodhja fizike.
Udhëtimi i tij përfshinte fillimisht mbërritjen në zonën e Lozhanit dhe më pas ecjen në këmbë drejt fshatit ku jepte mësim për 7-8 km.
Endri Fifo, koleg i Albanit, Muharrem Meka, kushëri dhe Myfti Staro, shok i mësuesit të ndjerë, rrëfyen se si e njihnin atë dhe përkushtimin për punën. Ata shprehën indinjatë për braktisjen e sistemit arsimor në zonat e thella, ku mësuesve nuk u sigurohen as kushtet për transportin.
Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët dhe të afërmit, të cilët hedhin akuza ndaj politikës për vendimmarrjen në sistemin arsimor dhe më gjerë.
Ata kërkojnë më shumë përgjegjësi në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.