Beteja me flakët! 1.5 mln € shtesë 60 bashkive për zjarrfikësit! 16 prej tyre do t'u japin 2 paga shpërblim

Aktualitet

Beteja me flakët! 1.5 mln € shtesë 60 bashkive për

Me rishikimin e fundit të buxhetit qeveria ka shtuar me 1.5 milionë euro fondet për 60 bashki për të dhënë shpërblime nga 1 deri në 2 paga, për punonjësit e zjarrfikësve, që luftuan me flakët e verës. Sipas Ministrisë së Financave, 16 bashki do të japin nga 2 paga shtesë pasi kanë pasur më shumë vatra zjarresh.

Të gjithë punonjësit e zjarrfikësve që u angazhuan për shuarjen e zjarreve gjatë muajve të verës do të marrin shpërblim nga bashkitë. Aty ku intensiteti i zjarreve ka qenë më i lartë, në 16 bashki, do jepen 2 paga mujore shpërblim, ndërsa në 44 të tjerat do të shpërndahet nga 1 pagë.

Përmes rishikimit të buxhetit të bërë pak ditë më parë jepen 1 milionë e 546 mijë euro transfertë për bashkitë e vendit për dhënien e shpërblimit, pa përfshirë Tiranën, e cila ka të ardhura të mëdha për të mbuluar shpenzime të tilla. Në relacion nuk theksohen se cilat janë 16 bashkitë që shpërndajnë nga 2 paga shpërblim për zjarrfikësit, por specifikohen vetëm fondet totale për secilat prej tyre.

“16 bashkive në të cilat ka pasur intensitet të lartë dhe kohëzgjatje të zjarreve, iu akordohen fonde për dy paga shpërblim dhe bashkive të tjera u akordohen fonde për një pagë shpërblim për punonjësit e mbrojtjes nga zjarri”, thuhet në relacion.

Nga ky fond i vënë në dispozicion të pushtetit vendor, më shumë para shkojnë për Librazhdin dhe Maliqin me nga rreth 94 mijë euro, ndjekur nga Vlora 93 mijë euro, më pas është  Finiqi me 69 mijë euro.

Jo të gjitha bashkitë u prekën nga zjarret në vend, por për shuarjen e tyre u angazhuan thuajse të gjitha forcat zjarrfikëse të cilat kanë lëvizur në zonat më shumë problematike për t’iu bashkuar grupeve lokale.

Grupi tjetër i bashkive që marrin me fonde të larta janë Dibra me 57 mijë euro, Durrësi 52 mijë euro, Shkodra 51 mijë euro dhe Malësi e Madhe 50 mijë euro. Ndërsa bashkia e Gramshit, që pati dëme edhe në banesa merr si fond shtesë për shpërblimin e zjarrfikësve afro 30 mijë euro. Me këtë shtesë, fondet e bashkive që jepen nga buxheti për tu mbrojtur nga zjarret arrijnë në total 22.8 milionë euro.

Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian për Zjarret në Pyje gjatë këtij viti në Shqipëri u dogjën mbi 59 mijë hektarë pyje, ndërkohë që vjet për të gjithë vitin u dogjën në total 46 mijë hektar. Për përfshirjen në betejën me zjarret, qeveria shpërbleu edhe forcat e Armatosura, agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe policinë e Shtetit./Shqiptarja

Beteja me flakët! 1.5 mln € shtesë 60 bashkive për

 

 

ME TE LEXUARAT