Delvinë! Turistët gjejnë qenin të varur në pemë, kufoma në gjendje të avancuar dekompozimi

Një ngjarje e rëndë dhe shqetësuese raportohet të ketë ndodhur në zonën e Delvinës, ku një qen është gjetur nga turistë i varur me litar në një pemë, në një gjendje të avancuar dekompozimi. Rasti ka shkaktuar tronditje dhe indinjatë tek ata që e kanë parë nga afër.
Sipas informacionit paraprak, kanë qenë disa turistë që kanë hasur rastësisht në këtë skenë të rëndë gjatë qëndrimit të tyre në zonë. Pamjet tronditëse tregojnë qenin të varur me litar në një pemë, në mes të natyrës, larg zonave të banuara, çka e bën edhe më të vështirë përcaktimin e kohës së saktë kur ka ndodhur kjo ngjarje. Gjendja e trupit të kafshës tregon se ajo mund të ketë qëndruar për një kohë të gjatë në atë vend pa u vënë re.
Ky është vetëm një tjetër rast i dhunës makabre me të cilën përballen kafshët në vendin tonë, duke ngritur alarmin për papërgjegjshmërinë e institucioneve vendore, për menaxhimin e situatës me kafshët që ndodhen në gjendje rruge. Por nga ana tjetër, ky rast ngre alarmin edhe për faktin që mes nesh, ekzistojnë persona të aftë për akte makabre, duke ngjallur frikë edhe për njerëzit.


